Ndërpriten fluturimet drejt Izraelit, MEPJ: S’ka shqiptarë të lënduar nga sulmet mes Iranit dhe Izraelit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka raportime për qytetarë shqiptarë të lënduar nga sulmet mes Izraelit dhe Iranit.
MEPJ thekson se po ndjek me prioritet dhe vëmendje të veçantë situatën e shtetasve shqiptarë në Izrael, të prekur nga zhvillimet e fundit.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, aktualisht janë evidentuar pesë shtetas shqiptarë në Izrael: tre me status turisti dhe dy me qëndrim të përkohshëm.
Ajo shpjegon më tej se ambasada shqiptare në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me ta, ndërsa shton se “të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, janë të informuar dhe po ndjekin udhëzimet e sigurisë të autoriteteve izraelite.”
Gjithashtu, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thekson më tej se për shkak të situatës, fluturimet drejt Izraelit janë ndërprerë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me prioritet dhe vëmendje të veçantë situatën e shtetasve shqiptarë në Izrael, të prekur nga zhvillimet e fundit.
Deri tani nuk ka asnjë raportim për qytetarë shqiptarë të lënduar apo të dëmtuar.
Aktualisht janë evidentuar pesë shtetas shqiptarë në Izrael: tre me status turisti dhe dy me qëndrim të përkohshëm.
Ambasada jonë në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me ta. Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore, janë të informuar dhe po ndjekin udhëzimet e sigurisë të autoriteteve izraelite.
Njoftojmë se për shkak të situatës, fluturimet janë ndërprerë. Për çdo informacion shtesë dhe nevoja emergjente, lutemi të kontaktoni Ambasadën Shqiptare në Tel Aviv në numrat e emergjencës: 📞 +972 54 480 6601, 📞 +972 54 904 2813”, thuhet në njoftimin e Ministrisë për Punët e Jashtme dhe Evropën.