Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare, legjenda e Heavy Metal, Ozzy Osbourne

Heavy Metal, Ozzy Osbourne

Botës së muzikës i është shpallur një lajm i trishtë këtë të martë. Ozzy Osbourne, ikona e pakrahasueshme e heavy metalit dhe frontmeni i Black Sabbath, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, të cilët në një deklaratë të përbashkët shprehën trishtimin e tyre të thellë:

“Me më shumë trishtim sesa mund të shprehin fjalët, na duhet të njoftojmë se Ozzy Osbourne ynë i dashur ka ndërruar jetë. Ai ishte me familjen e tij dhe i rrethuar nga dashuria. U kërkojmë të gjithëve të respektojnë privatësinë e familjes sonë në këtë kohë.”

Vdekja e tij vjen pak ditë pasi dha koncertin e tij të fundit me Black Sabbath, për herë të parë pas 20 vitesh. Ky koncert u mbajt më 5 korrik në Villa Park në Aston, Birmingham, qyteti i tij i lindjes, ku u mblodhën 40,000 fansa dhe miliona të tjerë e ndoqën përmes transmetimit të drejtpërdrejtë. Në skenë, grupit iu bashkuan edhe emra të njohur të rokut si Billy Corgan, Steven Tyler, Tom Morello, Ronnie Wood dhe Yungblud. Sipas drejtorit muzikor të eventit, Tom Morello, kjo performancë e fundit mblodhi plot 140 milionë paund për bamirësi. Një film koncertesh që feston trashëgiminë e Osbourne dhe Black Sabbath pritet të publikohet në vitin 2026.

I lindur si John Michael Osbourne më 3 dhjetor 1948 në Aston, Birmingham, Ozzy e la shkollën në moshën 15-vjeçare dhe bëri punë të ndryshme, duke përfshirë punën në fabrikë, përpara se të formonte Black Sabbath në vitin 1968 me shokun e shkollës Geezer Butler. Grupi u bë pionier në zhanrin e heavy metalit, duke lëshuar hite klasike si “Paranoid”, “War Pigs” dhe “Iron Man”.

Pasi u largua nga Black Sabbath në vitin 1979 për shkak të tensioneve të brendshme, Osbourne ndërtoi një karrierë të suksesshme solo, duke publikuar më shumë se një duzinë albumesh. Kënga e tij debutuese solo, “Crazy Train”, e publikuar një vit më vonë, mbetet një nga këngët e tij më të famshme. Ai ishte i njohur për performancat e tij energjike dhe shpesh kontraverse, si rasti famëkeq i vitit 1982 kur kafshoi gabimisht kokën e një lakuriqi nate, duke menduar se ishte prej gome.

Në fillim të viteve 2000, Osbourne dhe familja e tij – bashkëshortja Sharon, vajza Kelly dhe djali Jack – u bënë yje të reality show-t me programin “The Osbournes”, i cili shfaqte jetën e tyre kaotike në Los Angeles dhe i bëri ata të njohur për një audiencë më të gjerë.

Ozzy Osbourne do të mbahet mend si “Princi i Errësirës” dhe një forcë shtytëse pas zhanrit të heavy metalit, trashëgimia e të cilit do të vazhdojë të frymëzojë breza muzikantësh dhe fansash.