Natë magjike në “Loro Boriçi” / Trajneri Martini: Kualifikimi mbetet akoma i hapur
Vllaznia ka marrë një fitore emocionuese me përmbysje në “Loro Boriçi” përballë Vikingur të Islandës, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kalimit të turit të dytë të Ligës së Konferencës.
Kuqeblutë, të mbështetur nga një stadium i tejmbushur, pësuan gol që në minutat e para nga një goditje me kokë e Gunarson, por nuk u dorëzuan.
Me kalimin e minutave, ndonëse miqtë vazhduan të rrezikonin, Vllaznia rimori kontrollin në pjesën e dytë.
Bajrami barazoi rezultatin pas një goditje këndi, ndërsa ishte Mala ai që përmbysi gjithçka me një gjuajtje të devijuar që vulosi fitoren 2-1 për shkodranët.
Në përfundim të takimit, trajneri Edi Martini u shpreh i kënaqur me performancën e skuadrës, duke vënë në pah sakrificën e lojtarëve përballë një kundërshtari të fortë siç Vikingur.
Martini pranoi se kualifikimi mbetet ende i hapur, por theksoi se skuadra nuk do të udhëtojë në Islandë për t’u mbrojtur.
Me këtë rezultat, Vllaznia mban gjallë shpresat për kualifikim dhe do të kërkojë të bëjë një tjetër paraqitje pozitive në ndeshjen e kthimit.
Sfida emocionuese në “Loro Boriçi” u transmetua drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH.
