Muzikë moderne në shesh / Nata e parë e Festivalit të Muzikës Moderne me atmosferë dhe gjallëri
Ka startuar në sheshin përpara teatrit “Migjeni” edicioni i tetë i Festivalit të Muzikës Moderne, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të verës në Shkodër.
Nata e parë solli një atmosferë të gjallë ku performuan artistë vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët u mirëpritën ngrohtësisht nga publiku artdashës.
Big Band Shkodra, në bashkëpunim me muzikantë nga Italia, Shqipëria dhe rajoni, sollën një repertor të larmishëm me ritme moderne, duke shpalosur një nivel të lartë artistik.
“Festivali synon të përcjellë mesazhe të forta artistike dhe të afrojë brezin e ri me muzikën moderne,” shprehet ndër të tjera muzikanti shkodran, Markelian Kapidani.
Drejtuesi i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, Dritan Mlika thekson cilësinë dhe profesionalizmin e artistëve pjesëmarrës.
Festivali do të vijojë deri më 26 korrik, me netë të tjera në Tiranë dhe Shkodër, duke përfshirë performanca në ambiente të hapura si rruga e Gjuhadolit apo sheshi “Kolë Idromeno”, me synim afrimin e muzikës me qytetarët.
