Murtaja e ruminantëve të vegjël – Dy javë nga shfaqja e rastit të parë, nuk ka problematika në Rajonin e Veriut

murtaja reminantet

Nga 3 qershori,  kur u shfaq rasti i parë i murtajës së ruminantëve të vegjël në fshatin Domen të Postribës, nuk janë konstatuar raste të tjera.

 Kështu shprehet Andi Bilali, drejtor i Sherbimit Veterinar për Rajonin e Veriut, i cili mbulon tre qarqe: Shkodër, Lezhë dhe Kukës.

Ai bën me dije se e gjithë zona u vendos në karantinë 3 dhe 10 km, ndërsa ka kontrolle të përditshme në terren.

Nuk ka patur raste të reja, madje as të dyshuara, teksa në qarkun e Lezhës dhe Kukësit, nuk ka ekzistuar si problematikë murtaja e ruminantëve të vegjël.

Bilali thekson se me urdhër të ministrit të linjës, nga 9 qershori është bërë bllokimi i lëvizjes së bagëtive të imëta në të gjithë territorin, për çfarëdolloj arsyeje, ndërsa po monitorohen tregjet dhe akset rrugore nga grupet e punës.

Ai shton se fermerët po zbatojnë këto kufizime, të ndërgjegjshëm për rrezikun që sjellin për tufat e tyre, sidomos në aspektin e dëmit ekonomik.

Drejtori Bilali thotë se kufizimet do të qëndrojnë në fuqi deri në fund të karantinës dhe nëse nuk do të ketë raste të tjera, ato do të hiqen, por vetëm pas një urdhri të ministrit të linjës.