Moti i keq/ Ministrja Koçiu publikon pamjet: Policia e Shtetit në terren pa ndërprerje, 5500 efektivë dhe 720 zjarrfikës në ndihmë të qytetarëve

ndihmë të qytetarëve

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka shpërndarë sot pamje nga ndërhyrja e efektivëve të Policisë së Shtetit në situatën emergjente të krijuar nga reshjet e shumta të shiut në vend.

Ajo ka bërë publike angazhimin e plotë të strukturave të sigurisë, duke theksuar se përgjigjja e policisë ka qenë e menjëhershme dhe pa ndërprerje.

Në terren, pa ndërprerje. Kjo ka qenë përgjigjja jonë në këto ditë të vështira,” – u shpreh ministrja Koçiu, duke vlerësuar përkushtimin e forcave të rendit.

Sipas saj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha strukturat e saj janë angazhuar që në orët e para të emergjencës, duke mbledhur informacionin jetik dhe duke koordinuar çdo veprim për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Në operacionet e zhvilluara në të gjithë territorin janë përfshirë rreth 5500 efektivë të Policisë së Shtetit, 720 forca të Shërbimeve Zjarrfikëse si dhe 777 mjete, të cilat kanë qenë në dispozicion për menaxhimin e situatës. Prioriteti, sipas ministres, ka qenë dhe mbetet mbrojtja e jetës dhe siguria e qytetarëve. Mirënjohje për çdo efektiv në terren që, përtej orëve dhe vështirësive, është pranë qytetarëve, duke mbajtur në këmbë sigurinë dhe shpresën në këto ditë sfiduese,” – theksoi Koçiu.