Moti i keq, Ministria e Shëndetësisë: Kujdesi shëndetësor pa ndërprerje, për çdo emergjencë telefononi 127
Moti i keq që ka përfshirë disa zona të vendit ka vënë në gatishmëri të gjitha shërbimet shëndetësore në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se, 36 njësi vendore dhe tre drejtori rajonale po punojnë në gatishmëri për të garantuar ndihmë mjekësore për banorët e prekur.
Në terren po kryhet monitorim i vazhdueshëm i situatës, ndërsa strukturat shëndetësore kanë kontrolluar pajisjet, infrastrukturën dhe rezervat e ilaçeve për rastet emergjente.
Paralelisht, është siguruar edhe transporti i urgjencës, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave civile.
Në spitale, shërbimi i urgjencës funksionon pa ndërprerje, ndërsa çdo tre orë bëhet raportim mbi situatën dhe gjendjen e rezervave të nevojshme, nga medikamentet te uji dhe karburanti.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që në rast nevoje për ndihmë mjekësore, të telefonojnë numrin e urgjencës 127.
