Moti i keq/ Lumi Gjadër del nga shtrati, nisin shkarkimet nga Komani dhe Vau i Dejës

Lumi Gjadër del nga sh

Reshjet e shiut që kanë përfshirë Qarkun Shkodër kanë sjellë disa problematika, ndërsa autoritetet raportojnë rritje të prurjeve në lumenj dhe përrenj. Si pasojë e shtimit të prurjeve në kaskadën e Drinit, prej ditës së djeshme kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi aktuale prej rreth 700 m³/sekondë.

Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, reshjet me intensitet mesatar kanë vijuar gjatë gjithë natës. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar për shkak të prurjeve të përroit, ndërsa raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në zonat e Kelmendit dhe Shkrelit.

Situatë problematike paraqitet edhe në Bashkinë Vau i Dejës, ku reshjet me intensitet të lartë kanë bërë që lumi Gjadër të dalë nga shtrati, duke shkaktuar rritje të nivelit të ujit në lagjen Kapedani.

Në Bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë autorurale, megjithatë sipas Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Shkodër, qarkullimi rrugor në akset që administrohen prej saj vijon normalisht.

Nga ana tjetër, OSHEE Shkodër bën me dije se aktualisht pa energji elektrike mbetet zona e Postribës, ndërsa në Kelmend po punohet për rikthimin e furnizimit. Zonat e tjera të qarkut furnizohen normalisht me energji.