Moti i keq/ 266 ha tokë të përmbytura në Shkodër, rriten nivelet e Bunës dhe Drinit, por ende brenda kuotës. Borë dhe vështirësi qarkullimi në Vermosh e Theth

permbytje shkoder

Reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë sjellë problematika në disa zona të vendit, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore, vështirësi në qarkullimin rrugor dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa njësi administrative. Strukturat e Emergjencave Civile, bashkitë dhe autoritetet rrugore janë në terren për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, e cila paraqitet e kontrollueshme, por vijon të kërkojë vëmendje të shtuar.

Qarku Shkodër

Situata hidrike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme, me nivele të ujit nën kuotat kritike dhe pa përmbytje banesash. Megjithatë, janë evidentuar përmbytje të konsiderueshme të tokave bujqësore, në total 266 hektarë.

Nivelet e lumenjve Bunë dhe Drin mbeten brenda parametrave të sigurisë, por kanë shënuar rritje me rreth 10–20 cm gjatë 24 orëve të fundit. Në Urën e Vjetër të Bunës niveli i ujit është 8.30 m, ndërsa në Urën e Bahçallëkut lumi Drin është në kuotën 8.05 m. Në njësinë administrative Dajç, niveli i ujit raportohet 6.48 m.

Në Nj.A. Ana e Malit, rruga për në Obot vijon të jetë e pakalueshme për mjetet e ulëta, ndërsa është e kalueshme vetëm për mjete të larta, pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 50 cm. Në këtë zonë janë përmbytur rreth 130 ha tokë bujqësore, kryesisht në fshatrat Obot dhe Muriqan.

Në Nj.A. Dajç, janë përmbytur rreth 35 ha tokë bujqësore në zonën e Pentarit, ndërsa në Nj.A. Velipojë, sipërfaqja e përmbytur vlerësohet në 101 ha. Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm, me tendencë tërheqjeje të ujit nga zonat e përmbytura.

Në zonat malore të qarkut, nga ora 06:30 vijojnë reshje intensive bore në segmentin Gropat e Selcës – Dogana Vermosh, pjesë e aksit Hani i Hotit – Vermosh, mbi 1000 metra lartësi. Katër mjete borëpastruese janë në punë dhe rekomandohet qarkullimi me goma dimërore. Reshje bore vijojnë edhe në Bogë–Theth.