Moti ekstrem godet SHBA-në, mijëra familje pa energji elektrike, mbi 13 mijë fluturime të anuluara

Moti ekstrem god

Një stuhi e fortë ka goditur Shtetet e Bashkuara, duke lënë mbi 160 mijë konsumatorë pa energji elektrike dhe duke shkaktuar anulimin e mijëra fluturimeve në të gjithë vendin. Vetëm të shtunën, më shumë se 4,000 fluturime u anuluan, ndërsa mbi 9,400 të tjera të planifikuara për të dielën janë pezulluar, sipas të dhënave nga FlightAware.

Stuhia, e përshkruar nga autoritetet si “historike”, pritet të përfshijë dy të tretat lindore të SHBA-së me reshje të dendura dëbore, shi të ngrirë dhe breshër, të shoqëruara me temperatura jashtëzakonisht të ulëta dhe erëra të rrezikshme. Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëron për akumulim të rëndë akulli në juglindje të vendit, me ndikime që mund të jenë shkatërruese deri në katastrofike në disa zona.

Presidenti Donald Trump ka miratuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme federale për disa shtete, përfshirë Karolinën e Jugut, Virxhinian, Tenesin, Xhorxhinë, Karolinën e Veriut, Merilendin, Kentakin dhe Luizianën.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, 17 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Sekretarja e DHS-së, Kristi Noem, deklaroi se dhjetëra mijëra njerëz në jug të vendit kanë mbetur pa energji elektrike dhe se ekipet e shërbimeve janë në terren për rikthimin e saj.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Energjisë ka lëshuar një urdhër emergjence për Teksasin, duke lejuar përdorimin e burimeve rezervë të gjenerimit për të shmangur ndërprerje më të gjera të energjisë.

Linjat ajrore kryesore amerikane, kanë paralajmëruar për anulime të mëtejshme dhe u kanë kërkuar pasagjerëve të ndjekin me kujdes përditësimet e fluturimeve.

Autoritetet federale dhe shtetërore u bëjnë thirrje qytetarëve të marrin masa paraprake, të furnizohen me ushqime dhe karburant dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme, ndërsa stuhia pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.