Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, Kurti: Dhashë dorëheqjen, më shumë se kaq s’është e mundur

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë, theksoi se kabineti aktual qeveritar është në detyrë dhe efektivisht i dorëhequr që nga 23 marsi, kur, siç tha ai, përfundoi mandati katërvjeçar i qeverisë së Kosovës.
Kurti sqaroi se që nga ajo kohë, qeveria ka vazhduar të ushtrojë përgjegjësitë e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke e konsideruar veten në një rol kujdestar, për të siguruar vazhdimësinë e funksionimit të shtetit.
Ai shtoi se çdo dorëheqje tjetër do të ishte një braktisje e institucionit, që do të çonte në vakum institucional dhe do të rrezikonte sigurinë kombëtare.
“Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës. Deri në formimin e Qeverisë së re, unë, në emër të kabinetit qeveritar, dje i jam drejtuar Kuvendit të Republikës sonë me një letër, përmes së cilës e kam njoftuar për statusin e Qeverisë sonë pas datës 23 mars 2025 dhe për dorëheqjen time nga posti ekzekutiv, veçse efektiv nga ajo datë, dhe sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Më shumë se kaq, nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq, do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare”, tha Kurti.
Kurti shtoi se konstituimi i Kuvendit të Kosovës u pamundësua për shkak të mosvotimit të opozitës për verifikimin e mandateve të deputetëve. Sipas tij, partitë opozitare, përkatësisht PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, e penguan këtë proces duke mos mbështetur raportin për verifikimin e mandateve.
Një ditë më parë nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës pasi partitë opozitare nuk mbështetën raportin për verifikimin e mandateve duke votuar 52 deputetë pro, 46 kundër dhe 11 abstenuan.