“Morsa” mbyll “Gjegju Fest” / Drama e Pirandellos sjell në skenën e “Migjenit” një histori tronditëse dashurie
Drama “Morsa” e Luigi Pirandellos, me regji të Edison Lleshit, u ngjit në skenën e Teatrit “Migjeni” duke përmbyllur edicionin e parë të festivalit teatror “Gjegju Fest”.
Në qendër të veprës qëndron historia tronditëse e gruas pasionante, e cila përballet me shpërbërjen e lidhjes jashtëmartesore dhe me hakmarrjen e bashkëshortit, Andreas.
E shtrënguar mes akuzave dhe dëshpërimit, ajo përjeton një dramë të thellë emocionale që kulmon me një fund tragjik.
Drejtori i teatrit, Gerti Palali, u shpreh se edicion i parë i festivalit, e shndërroi skenën e Teatrit “Migjeni” në një platformë krijimtarie për çështje të rëndësishme shoqërore përmes artit.
“Gjegju Fest” solli një seri shfaqjesh që trajtuan tematika të forta e aktuale duke patur në fokus gruan dhe duke dëshmuar edhe një herë rolin e teatrit si hapësirë e reflektimit dhe ndryshimit.
