“Miss Shqipëria 2025”, kurorëzohet sot më e bukura e vendit, producenti Petri Bozo jep detaje nga spektakli

Eventi më jetëgjatë i bukurisë shqiptare, “Miss Shqipëria 2025”, ka mbyllur turin nëpër Shqipëri dhe përgatitet për finalen e madhe, që do të mbahet më 18 Qershor.
Nën moton “Det”, 25 finalistet kanë sjellë përmes kamerës bukuritë e jashtëzakonshme të rivierës shqiptare.
I ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, producenti dhe regjisori i njohur Petri Bozo ndau entuziazmin e tij për rrugëtimin e këtij edicioni të “Miss Shqipëria”.
Sipas tij, ky edicion nuk është vetëm një garë bukurie, por një platformë që vë në qendër turizmin, kulturën dhe harmoninë vizuale, duke përçuar një mesazh pozitiv dhe paqeje përmes artit dhe estetikës shqiptare.
“Jam shumë i kënaqur nga zgjedhjet që bëmë me turin e juglindjes duke përfunduar në bregdet, duke prekur 3 atraksione të cilat janë asete shumë të mira për turizmin qoftë liqeni, qoftë lumi, qoftë deti, mendoj që kemi një pritshmëri shumë të mirë. Vajzat kanë një grup shumë serioz, të disiplinuara, me portrete shumë të mira. I gjithë kontenti i sotëm do të jetë një shfaqje perfektë e kohës së paqes”, u shpreh regjisori Petro Bozo.
Klea Llagonia, fituesja e edicionit të kaluar, ndau emocionet e saj duke reflektuar mbi përvojën njëvjeçare si mbajtëse e kurorës. Ish-Missi përveç përfaqësimit estetik, ajo përfaqëson edhe zërin e kauzave sociale, fuqizimin personal dhe përgjegjësinë për të qenë frymëzim për të tjerët.
“Kam një miks emocionesh, ndjej që e gjithë familja e Deliartit po pret një anëtar të ri në gjirin e saj dhe shpresoj që vajza që do të zgjidhet të jetë po kaq e lumtur sa unë vitin tjetër. Ka qenë një rrugëtim shumë i ngjeshur sepse kemi pasur shumë projekte, kam përfaqësuar Shqipërinë në “Miss Globe” ku kam mbrojtur një temë për bullizmin dhe i gjithë viti im ka qenë i fokusuar drejtë kësaj rruge si një njeri që ka qenë i prekur kur ka qenë i vogël”, u tha Llagonia.
Producenti, Petri Bozo theksoi suksesin ndërkombëtar që “Miss Shqipëria” ka arritur vitet e fundit, falë zgjerimit të platformës së përfaqësimit në kompeticione botërore.
“Në 4 vitet e fundit duke pasur të drejtat për të përfaqësuar Shqipërinë në kompeticione shumë të forta botërore ku përveç Miss Shqipërisë ne japim dhe 3 kurora të tjera shumë të rëndësishme dhe në nivel botëror janë “Miss Earth” ku këtë kurorë për herë të parë e fitoi Drita Ziri dhe kurora “Miss International”, “Miss Supranational” të cilat janë në Japoni të cilat janë të një niveli shumë të lartë në përfaqësimin e Shqipërisë në botë“, theksoi producenti Bozo.