Mirditë/ Dogji një dyqan dhe tentoi të digjte edhe një gomisteri, arrestohet 52-vjeçari me precedent penal

mirdite policia

Një person është arrestuar në Mirditë pasi dogji një dyqan me materiale të përdorura dhe tentoi të digjte një gomisteri. Autor i dyshuar është Luan Vuka, alias Artan Vuka, 52 vjeç, banues në fshatin Ndërfushaz, Mirditë, me precedent kriminal të mëparshëm për dhunë në familje, goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim prone, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Pas rënies së zjarrit në dyqanin e shtetasit Gj. D., si dhe djegies së disa gomave në gomisterinë e shtetasit A. P., shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për zbardhjen e rrethanave të dy ngjarjeve. Veprimet e shpejta policore çuan në dyshimin e arsyeshëm se të dy rastet ishin zjarrvënie të qëllimshme.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme, ndërsa policia dhe prokuroria vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve.