Miratimi i ligjit për barazinë gjinore, opozita: Të kërkohet referendum për rrëzimin e tij

opozita

Opozita ka dënuar miratimin e ligjit për barazinë gjinore një ditë më parë në Kuvend, duke e cilësuar atë si antikushtetues dhe në kundërshtim me vlerat tradicionale të familjes shqiptare. Si Partia Demokratike ashtu edhe Partia e Lirisë kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin hapa ligjorë e kushtetues për anulimin e këtij ligji, madje kanë paralajmëruar edhe nismë për referendum popullor.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ligji përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar dhe bie ndesh me disa nene të Kushtetutës.

“PD do ndërmarrë të gjitha hapat kushtetuese, do rikonsiderojë referendumin dhe çdo gjë të mundshme për anulimin e këtij ligji, i cili në fakt përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar, pasi rrëzon të paktën katër nene të Kushtetutës. Kjo përpjekje do bëhet në bashkëpunim të ngushtë me çdo shqiptar që e ka familjen sa hyjnore, aq edhe tokësore,” u shpreh Berisha.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Partia e Lirisë, e cila në një deklaratë për mediat e quajti miratimin e ligjit “një akt antikushtetues dhe antikombëtar”.

“Dënojmë votimin e mbrëmshëm dhe aktin shumë të rëndë antikushtetues dhe antikombëtar të një Parlamenti ilegjitim, të dalë nga vullneti i interesave më të errëta të krimit dhe korrupsionit siç ishte miratimi me 77 vota pro të 77 deputetëve surrogato të një ligji të zi që shpërbën familjen shqiptare.

Qëllimi i vetëm i këtij ligji është shpërbërja e familjes shqiptare, shkatërrimi i shoqërisë dhe kombit shqiptar dhe promovimi i degjenerimit i vesit dhe i kaosit si vlera morale. Të sulmosh familjen me ligj, do të thotë të sulmosh Kombin, identitetin, historinë, traditat dhe kulturën. Ky ligj duhet të shfuqizohet menjëherë nga Gjykata Kushtetuese dhe për të cilin kemi bërë thirrje dhe do të mbështesim të gjithë zërat e shoqërisë civile që kërkojnë hedhjen dhe krijimin e një referendumi për të rrëzuar miratimin e këtij ligji antifamilje dhe anti atdhe”, thuhet në deklaratën e Partisë së Lirisë.

Opozita ka paralajmëruar se do të mbështesë çdo nismë qytetare dhe të shoqërisë civile për organizimin e një referendumi që synon rrëzimin e ligjit të ri për barazinë gjinore.

Më herët në sqarim të opinionit publik lidhur me ligjin për barazinë gjinore deputetja socialiste Iris Luarasi sqaroi se ky ligj nuk prek konceptin e dy gjinive “burrë dhe grua”, por garanton barazi dhe dinjitet të tyre në jetën publike dhe sociale.

Një ditë më parë Kuvendi miratoi me 77 vota pro ligjin për barazinë gjinore në një seancë maratonë e shoqëruar me debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës.