Minneapolis nën rrethim, Trump kërcënon me ndërhyrje ushtarake përmes “Aktit të Kryengritjes”

Minneapolis nën rret

Presidenti Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të ashpër këtë të enjte, duke deklaruar gatishmërinë për të dërguar trupa ushtarake në Minneapolis. Kërcënimi vjen si përgjigje ndaj protestave të dhunshme që kanë përfshirë qytetin pas një sërë incidentesh të përgjakshme ku janë përfshirë oficerët federalë të imigracionit (ICE).

Tensionet, që ishin tashmë të larta pas vrasjes së Renee Good nga agjentët federalë, shpërthyen sërish të mërkurën. Një oficer i ICE qëlloi në këmbë një person, i cili sipas zyrtarëve, e kishte sulmuar agjentin me një lopatë dhe një dorezë fshese gjatë një tentative arrestimi.

Ky incident provokoi një kundërpërgjigje të menjëhershme të turmës. Forcat federale përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, duke prekur edhe familje me fëmijë në zonat rezidenciale.

Anëtarë të Këshillit të Qytetit dhe aktivistë kanë nisur të përdorin bilbila për të paralajmëruar komunitetin kur shohin agjentë federalë në lagjet e tyre.

Çfarë është “Akti i Kryengritjes” i vitit 1807?

Presidenti Trump synon të thërrasë një ligj të rrallë që i jep autoritetin të vendosë ushtrinë brenda kufijve të SHBA-së. Ky ligj lejon Presidentin të dërgojë trupa aktive ushtarake në qytete amerikane; federalizon Gardën Kombëtare, duke ia hequr kontrollin Guvernatorit të shtetit; ndërhyn pa kërkesën e autoriteteve lokale nëse ai gjykon se ligjet federale po pengohen.

Hera e fundit që ky akt është përdorur ishte në vitin 1992 gjatë trazirave në Los Angeles, por në atë kohë u bë me kërkesë të autoriteteve lokale, ndryshe nga rasti aktual i Minesotës.

Përplasja politike dhe ligjore

Guvernatori Tim Walz dhe Prokurori i Përgjithshëm Keith Ellison kanë deklaruar se do ta luftojnë këtë vendim në çdo shkallë gjyqësore.

Keith Ellison ka ngritur padi kundër Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), duke kundërshtuar valën e arrestimeve (mbi 2,000 që nga dhjetori).

Ndërsa Jacob Frey, kryebashkiak, akuzon forcat federale se po shkaktojnë “kaos” dhe po terrorizojnë qytetarët e Minneapolis.

Shteti i Minesotës ndodhet tashmë në një “luftë të ftohtë” me Shtëpinë e Bardhë, ndërsa qytetarët mbeten të mbërthyer mes operacioneve federale të imigracionit dhe revoltës civile.