Ministrja Sala: Shëndeti fillon në familje, mirënjohje mjekëve në detyrë

Ministrja Sala

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, i ka drejtuar një mesazh urimi qytetarëve shqiptarë për vitin 2026, duke vënë theksin te rëndësia e familjes si “themeli mbi të cilin qëndron shoqëria jonë”.

Në fjalën e saj, ministrja Sala rezervoi një falënderim të veçantë për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor që festat i kaluan në krye të detyrës.

“Dua ta nis me një falënderim për mjekët, infermierët dhe stafet e urgjencës që kujdesen për familjet tona edhe kur janë larg familjeve të tyre. Ju jeni aty kur frika është e madhe dhe shpresa e brishtë,” u shpreh ajo, duke vlerësuar sakrificën e bluzave të bardha.

Duke u ndalur te bilanci i punës, Sala nënvizoi se viti që lamë pas u fokusua në transformimin e shërbimit shëndetësor. Sipas saj, objektivi mbetet i qartë:

Protokolle evropiane, zbatimi i standardeve më të larta të mjekësisë.

Kushte dinjitoze, përmirësimi i infrastrukturës që askush të mos kërkojë ndihmë larg vendbanimit.

Mbështetje e shtuar për grupet e margjinalizuara dhe moshën e tretë.

Shëndeti si siguri dhe solidaritet

Për ministren Sala, shëndeti nuk është thjesht një procedurë spitalore, por një ndjesi sigurie.

“Shëndeti nuk fillon në spital, ai fillon në familje, në kujdesin për njëri-tjetrin dhe në solidaritet,” përfundoi ajo, duke uruar një vit të paqtë dhe të shëndetshëm për çdo vatër shqiptare.