Ministrja Evis Sala në Vjenë, partneritet me IAEA për krijimin e Institutit të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit

Sala në Vjenë, partn

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, po zhvillon një vizitë të rëndësishme në Vjenë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Në fokus të diskutimeve është modernizimi i sistemit shëndetësor shqiptar, veçanërisht në drejtim të luftës kundër sëmundjeve tumorale dhe përdorimit të teknologjisë bërthamore për qëllime mjekësore.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Ministrja Sala bëri me dije se Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt shfrytëzimit të shkencës për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientëve. Ajo zbardhi edhe një nga projektet madhore të Ministrisë: krijimin e Institutit të Onkologjisë.

“Shqipëria po përparon me një vizion të qartë: shfrytëzimin e shkencës për të forcuar kujdesin ndaj kancerit, mjekësinë bërthamore dhe sigurinë nga rrezatimi,” shkruan Sala.

Më tej, ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me agjencinë ndërkombëtare për rritjen e standardeve të sigurisë dhe kapaciteteve njerëzore.

“Ne po forcojmë programin kombëtar të radioterapisë si pjesë e krijimit të Institutit të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit. Me partneritetin me IAEA-n, ne investojmë në njerëz dhe inovacion të sigurt, duke udhëhequr me përgjegjësi dhe duke vendosur një standard për përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore,” përfundon reagimi i ministres.