Ministri i Jashtëm iranian: Teherani do të mbrohet nga kërcënimet e huaja

Teherani do të mbrohet

“Irani do të mbrohet kundër çdo kërcënimi të huaj”, kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi gjatë bisedës telefonike me homologun e tij saudit Faisal bin Farhan, pasi SHBA-të nuk përjashtuan ndërhyrjen ushtarake në përgjigje të shtypjes së protestave nga Teherani .

Araghchi theksoi rëndësinë e dënimit ndërkombëtar të çdo ndërhyrjeje të huaj në punët e brendshme të vendeve të rajonit.

Agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA konfirmoi bisedën telefonike, duke vënë në dukje se dy ministrat diskutuan “mjetet për të forcuar” sigurinë e rajonit.

Në të njëjtën kohë, qeveria portugeze njoftoi se po e mbyllte “përkohësisht” ambasadën e saj në Teheran për shkak të “situatës së tensionuar” që mbizotëron në Iran, ndërsa rekomandoi që qytetarët e saj të shmangin udhëtimet në vend.

Ministria e Jashtme portugeze sqaroi se vendimi për pezullimin e funksionimit të ambasadës në Teheran u mor të mërkurën (14 janar).

“Tetë shtetas portugezë janë larguar tashmë nga Irani, ndërsa të tjerë po përgatiten të largohen sipas procedurave sekrete për arsye sigurie”, shtoi ministria. Ajo shpjegoi se dhjetë shtetas të tjerë portugezë, përfshirë shtatë që kanë edhe shtetësi iraniane, kanë vendosur të qëndrojnë në Iran.

Portugalia thirri ambasadorin iranian në Lisbonë të martën (13 janar) për të shprehur dënimin e saj për shtypjen e dhunshme të protestave antiqeveritare dhe për të kërkuar që të respektohen të drejtat e qytetarëve iranianë.