Ministri grek: Greqia mbetet krah Shqipërisë drejt BE-së. Spiropali: Partneriteti mes dy vendeve, strategjik për integrimin evropian

Giorgos Gerapetritis, në f

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis, në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të ndërtuara mbi lidhje shekullore dhe duhet të orientohen drejt së ardhmes, duke u fokusuar te ajo që bashkon dy popujt.

“Vizita juaj tregon rëndësinë që i jepni marrëdhënieve me fqinjët. Greqia dhe Shqipëria kanë lidhje shekullore dhe besoj fuqimisht se duhet të fokusohemi në elementët që na bashkojnë, në interes të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë”, u shpreh Gerapetritis.

Ai theksoi rolin e minoritetit grek në Shqipëri si një hallkë të pandashme lidhëse mes dy popujve dhe një urë komunikimi e mirëkuptimi. Po ashtu, ministri grek vlerësoi kontributin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke nënvizuar nivelin e lartë të integrimit të tyre në shoqërinë helene.

Gerapetritis tha se në takim u diskutua gjerësisht për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar integrimin si një nevojë gjeopolitike. Sipas tij, Greqia mbështet dhënien e një dinamike të re perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Minoriteti grek, hallka e pandashme lidhëse mes dy popujve tanë, ura e komunikimit e mirëkuptimit. Rëndësi dhe kontributi i emigrantëve shqiptarë, kanë treguar një shkallë të lakmueshmne integrimi funksional në shoqërinë helene.

Diskutuam për zgjerimin, nevoja gjeopolitike e integrimit në BE. Mbështetëm rëndësinë për ti dhënë dinamikë të re perspektivës së Ballkanit Perëndimor.

Jemi të gatshëm që në kuadrin e Presidencës së KiE-së në 6-mujorin e dytë në 2027, të ndërmarrim nisma duke qenë të bindur se perspektiva europiane ndihmon në një ambient që do ndihmojë në kapërcimin e rreziqeve që krijohen nga ndërhyrjet e padrejta, ringjallja e stereotipeve të vjetëruara që nuk ndihmojnë në forcimin e besimi.

Greqia qëndron konsekuente në vizionin e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ne përshëndesim progresin e Shqipërisë, hapjen e grupkaputujve negociues”, deklaroi ai.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve, veçanërisht në kapitujt themelorë, dhe vlerësoi kujdesin për respektimin e plotë të të drejtave të minoritetit grek.

Spiropali: Partneriteti Shqipëri-Greqi, strategjik për integrimin europian

Nga ana e saj, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se Shqipëria dhe Greqia kanë ndërtuar lidhje të forta njerëzore, të cilat përbëjnë bazën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjatë konferencës së përbashkët me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Giorgos Gerapetritis, Spiropali theksoi se qeveria e Kryeministrit Edi Rama e ka përcaktuar partneritetin mes Shqipërisë dhe Greqisë si strategjik, veçanërisht në funksion të procesit të integrimit europian.

“Objektivi ynë kombëtar është integrimi në Bashkimin Evropian, që nënkupton mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në vitin 2027. Është një sfidë e madhe, por e realizueshme”, u shpreh Spiropali.

Ministrja falënderoi Greqinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe vendimtare ndaj Shqipërisë në këtë proces, duke theksuar se ka marrë rikonfirmimin e kësaj mbështetjeje deri në përfundimin e bisedimeve teknike të anëtarësimit, që përkojnë me Presidencën e ardhshme të Greqisë në Bashkimin Evropian, në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Spiropali shtoi se Shqipëria synon të thellojë më tej dialogun dhe bashkëpunimin me Greqinë, përfshirë shkëmbimin e ekspertizës teknike, me qëllim një presidencë sa më produktive të Greqisë në raport me Ballkanin Perëndimor dhe procesin e zgjerimit të BE-së.

 “Popujt tanë kanë formuar lidhje të fuqishme njerëzore. Qeveria e Edi Ramës e ka përcaktuar si strategjik partneritetin mes dy vendeve tona. Objektivi ynë kombëtar, integrimi europian nënkupton mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në 2027. Një sfidë e madhe por e realizueshme.

Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe vendimtare teë Greqisë në këtë proces. Mora rikonfimrimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetje deri në përfundimin e bisedimeve teknike të anëtraësimit të Shqipërisë që përkon me presiencën e ardhshme të Greqisë në BE në gjysmën e dytë të BE-së.

Ndaj ne duam të thellojmë dialogun dhe bashkëpunimin e shkëmbimit të ekspertizës teknike për një presidencsë sa më produktive në raport me rajonin tonë”, tha Spiropali.