Metani: Pushteti gjyqësor, jo vetëm i pavarur, por të jetë llogaridhënës dhe në shërbim të publikut

Artur Metani ka deklaruar

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka deklaruar se pavarësia dhe llogaridhënia e magjistratëve është një dualitet organik që e bën dhënien e drejtësisë si shërbim publik.

Duke folur në konferencën kombëtare “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit, Metani analizoi marrëdhënien dinamike e delikate, që ekziston ndërmjet pavarësisë të pushtetit gjyqësor dhe nevojës legjitime për llogaridhënie publike.

Ai vuri në dukje se pavarësia formale ligjore e magjistratëve kërkon garanci institucionale, por duhet të shoqërohet me një standard të lartë integriteti dhe profesionalizimi të vetë magjistratëve.

Në praktikën shqiptare ky parim është vënë shpesh në provë. Magjistratët janë ekspozuar jo rrallë herë ndaj ndërhyrjeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta, të cilat janë manifestuar nëpërmjet intimidimeve personale, presioneve mediatike, diskurseve të polarizuara politike, përdorimit të retorikës politike për të ndikuar perceptimin dhe vendimmarrjen gjyqësore, konfliktit të interesit, apo vendimmarrjeve të centralizuara administrative, të mbështetura jo gjithmonë në kritere apo procedura të qarta ligjore. Çdo përpjekje për të mbrojtur pavarësinë e pushtetit  gjyqësor nuk është legjitime, nëse nuk shoqërohet me reagim mbi formën, thelbin dhe kufijtë e ushtrimit të sistemit llogaridhënës të magjistratëve, pasi pa rregulla të qarta për kontrollin e pushtetit gjyqësor, rrezikojmë t’i shndërrojmë magjistratët në një sovran të heshtur”, u shpreh Metani.

Sipas Metanit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë përfaqëson mekanizmin themelor, që lidh pavarësinë e magjistratit me sistemin llogaridhënës dhe përgjegjësinë publike të tyre.

Për të mos u shndërruar në një mjet presioni ndaj magjistratëve dhe pushtetit gjyqësor, ILD po përpiqet të zbatojë standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, të sigurojë transparencë në procedurat e zhvilluara nga ana e tij, si  dhe të dëshmojë integritet në çdo vendimmarrje. Këtë mekanizëm llogaridhënës, ILD po përpiqet të konceptojë dhe të aplikojë në mënyrë institucionale, të drejtë dhe të qëndrueshme, si forma më e lartë e përgjegjshmërisë publike të magjistratëve. Roli i ILD-së nuk duhet parë thjesht në dimensionin ndëshkues disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues, në funksion të krijimit të një kulture të lartë etike dhe profesionale në pushtetin gjyqësor”, tha ai.

Duke e parë pavarësinë dhe llogaridhënien si një dualitet organik, që ndihmon në konsolidimin e shtetit të së drejtës, zoti Metani vërejti se duhet reflektuar për ndërtimin e një drejtësie që t’i garantojë të dyja, ndërsa dhënia e drejtësisë duhet të jetë një shërbim publik.  

Sot më shumë se kurrë, drejtësia në Shqipëri ka nevojë për magjistratë dhe profesionistë me integritet të lartë moral, të ndërgjegjshëm për rolin e tyre kushtetues dhe të përkushtuar ndaj drejtësisë, si një shërbim publik, duke i ruajtur të pastra interesat e saj. Ka nevojë për magjistratë që besojnë realisht, jo vetëm në vlerat shoqërore, por edhe në misionin e tyre personal për të shërbyer në sistemin e drejtësisë”, tha Metani.