Merrte kredi duke mashtruar qytetarët, arrestohet 33-vjeçarja nga Lezha

policia e lezhes 26

Një 33-vjeçare është vënë në pranga pasi merrte kredi në emër të qytetarëve të tjerë. Skemën, 33-vjeçarja e realizonte, duke iu marrë foto të kartës së identitetit, shtetaseve, duke i mashtruar se ishte përfaqësuese e një shoqate bamirësie, dhe me të dhënat e tyre arrinte të merrte kredi.

Arrestimi i saj, erdhi pas 16 kallëzimesh të bëra nga qytetarët, ndërsa policia ka bërë sekuestrimin e dokumenteve bankare.

“Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasja D. C., 33 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se shtetasja D. C. iu prezantohej shtetaseve me fëmijë të mitur, si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, dhe iu merrte atyre të dhënat personale (foto të kartës së identitetit), duke iu premtuar pagesa mujore. Më pas, duke përdorur të dhënat e tyre, aplikonte dhe merrte kredi në institucione financiare.    

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dokumente bankare që pasqyrojnë transfertat e parave të përfituara nga kreditë, në një llogari që administrohej nga shtetasja D. C.”, thuhet në njoftim.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj skeme mashtrimi dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.