MEPJ kujton Heroin Kombëtar: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, busull e përhershme për brezat

Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka përkujtuar sot Heroin Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeun, në 558-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

 Në postimin e bërë në rrjetet sociale, MEPJ e cilëson Skënderbeun si një busull të përhershme për brezat, një figurë që ndriçoi ndërgjegjen kombëtare, frymëzoi rilindësit dhe u shndërrua në simbol të pavdekshëm të qëndresës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Trashëgimia e tij vijon të na udhëheqë drejt bashkimit, përparimit dhe vizionit europian. Lavdi e përjetshme,” thuhet në mesazhin e ministrisë.

Ai mori edukim dhe stërvitje ushtarake në oborrin osman, ku u dërgua si peng në vitin 1415 dhe përsëri në 1423, një periudhë që i mundësoi atij njohuri të thella ushtarake dhe diplomatike.

Pas kthimit në atdhe, ai u ngrit si udhëheqës i shqiptarëve, duke krijuar një aleancë të gjerë që kundërshtoi avancimin osman në Ballkan. Skënderbeu është një emër i paharrueshëm i historisë kombëtare, i cili përfaqësoi guximin dhe qëndresën e paepur për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Lufta e shqiptarëve me të në krye shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar.

Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ai ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shën Kollit të qytetit të Lezhës, Gjergj Kastrioti mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar.

Me Kuvendin e Lezhës, Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbëror. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar.

Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar deri në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa më e madhe e trojeve shqiptare.

Me një ushtri të vogël, ai arriti të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, të cilat ishin ndër më të organizuarat dhe më modernet e epokës.

Skënderbeu ndaloi ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, jo vetëm gjatë jetës së tij, por edhe më shumë pas vdekjes.

Figura e tij mbetet një pikë referimi e përhershme për shqiptarët, një trashëgimi që udhëheq drejt bashkimit kombëtar dhe aspiratës europiane.