“Meditim” koncert homazh për Ferdinand Dedën – Orkestra Simfonike e RTSH  nderon në  85-vjetorin e lindjes kompozitorin e shquar

orkestra meditim

Orkestra Simfonike e RTSH-së do të sjellë koncertin “Meditim”, një mbrëmje të veçantë muzikore kushtuar 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit të shquar Ferdinand Deda, një nga figurat më përfaqësuese të muzikës së kultivuar shqiptare. Koncerti do të zhvillohet në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, mbrëmjen e 5 shkurtit ora 19 dhe  synon  të kthehet në një pikë takimi mes kujtesës artistike dhe interpretimit bashkëkohor

Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e RTSH-së, me pianisten soliste Merita Rexha Tershana, do t’i ofrojë publikut një udhëtim muzikor në universin krijues të Ferdinand Dedës, përmes veprave që pasqyrojnë ndjeshmërinë, finesën dhe identitetin e tij artistik.

“Jam shumë e lumtur që orkestra erdhi në këtë ditë për të përkujtuar 85-vjetorin e lindjes së mjeshtrit të madh. Ai është njeriu ku e gjithë orkestra ka mësuar. Kjo javë është java ë Ferdinand Dedës dhe provat kanë filluar dhe do të jetë një mbrëmje shumë e këndshme dhe programi do të ketë materiale të Ferdinand Dedës”, u shpreh Blerta Ristani.                                     

Mbrëmja koncertore do të shërbejë si një homazh për kontributin e vyer të Dedës në zhvillimin e muzikës simfonike dhe në edukimin artistik në Shqipëri, duke vënë në qendër trashëgiminë e tij që vijon të frymëzojë breza muzikantësh.