Më pak martesa, më shumë divorce / Gjatë vitit që lamë pas, 381 çifte u martuan, 248 u divorcuan
Zgjidhjet e martesës në Shkodër kanë nisur dukshëm rreth një dekadë më parë dhe që prej asaj kohe trendi ka qenë vetëm në rritje.
Sipas avokates Edlira Bylo, shkaku kryesor i divorceve vitet e fundit mbetet mospërputhja e karaktereve, e cila bëhet më e dukshme me kalimin e viteve të bashkëjetesës.
Kërkesat më të shumta për zgjidhje martese vijnë nga grate teksa nuk ka më dallime mes qytetit dhe fshatit.
Ndërgjegjësimi i grave ka ardhur duke u rritur vit pas viti dhe kjo ka dhënë efekte pozitive, sidomos në sensibilizimin për të mos pranuar dhe duruar dhunën në asnjë formë.
Të dhënat zyrtare nga Gjendja Civile në Shkodër tregojnë qartë këtë tendencë në rritje.
Gjatë vitit 2024, në këtë bashki janë regjistruar 426 kurorëzime martese dhe 186 divorce.
Ndërsa në vitin 2025, numri i divorceve është rritur ndjeshëm, duke u afruar drejt dyfishimit, 381 cifte janë martuar, ndërkohë që 248 çifte i kanë dhënë fund martesës, një shifër që sinjalizon ndryshime të forta në raportin mes martesave dhe divorceve.
