Më 1 shkurt rinisin negociatat trepalëshe në Abu Dhabi, Zelensky paralajmëron sulm masiv nga Rusia, para bisedimeve

Zelensky paralajmëron

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky paralajmëroi për një sulm masiv nga Rusia përpara raundit të dytë të bisedimeve në Abu Dhabi, ndërsa Moska vazhdon të godasë Ukrainën.

Zelensky tha se shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë prova se Rusia po përgatit “një sulm të ri masiv”, duke u kujtuar udhëheqësve botërorë se çdo sulm do të diskreditonte procesin e paqes.

“Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe të gjithë partnerët tanë duhet ta kuptojnë se si kjo diskrediton bisedimet diplomatike. Çdo sulm rus e bën këtë”, tha presidenti ukrainas.

Ndërkohë, tre persona u vranë në sulmet e reja ajrore ruse në Zaporizhia, në Ukrainën qendrore-lindore, njoftoi guvernatori rajonal Ivan Fedorov nëpërmjet Telegramit në orët e para të mëngjesit.

Këto zhvillime po ndodhin ndërsa negociatat trepalëshe midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së do të rifillojnë në Abu Dhabi të dielën (1 shkurt), pas raundit të parë të bisedimeve “konstruktive” fundjavën e kaluar.

Në të njëjtën kohë, bisedimet midis Ukrainës dhe SHBA-së mbi garancitë e sigurisë po vazhdojnë, me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, që lë të kuptohet se Ukraina dhe Uashingtoni janë afër arritjes së një marrëveshjeje mbi garancitë e sigurisë në bisedimet që janë në vazhdim.