Mbrojtja e fëmijëve online – Strasburgu propozon ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

gezim tusha per rtsh

Dëmet e pakthyeshme që shkakton tek fëmijët përdorimi i rrjeteve sociale kanë nxitur diskutimet për ndalimin e përdorimit të mediave sociale prej tyre. Për sociologun Gëzim Tushi, shqyrtimi nga Komisioni Evropian për mënyrat e kufizimit për fëmijët nën moshën 16 vjeç është një masë në kohë.

Gëzim Tushi u shpreh për RTSH se “Fëmijët ne duhet t’i mbrojmë nga një rrezik kaq i madh ekzistencial në këtë kohë ku po ndodh ky revolucion dhe në këtë jetë ku është kjo infosferë që është e vështirë ta kontrollosh. Nuk është se kam besim të madh tek masat juridike. Ky është një proces kulturor dhe edukativ më shumë sesa juridik.”

Për sociologun Tushi problemi është kompleks dhe kërkon një proces të përshkallëzuar, pasi pasojat do të jenë të rënda.

 “Duhet një proces i përshkallëzuar në shkollë, në familje. Duhet të krijohet një kornizë kulturore konsensuale, sepse dihet që adoleshentët as nuk i shtyp dot dhe as i manipulon dot. Një pjesë e madhe e tyre po e përdorin në mënyrë toksike. Ju e keni parë që prej rrjeteve sociale vijnë dallgë të mëdha bullizimi, konfliktesh. Nuk mendoj që krijimi i një kulture të urrejtjes ndaj teknologjisë është udha e duhur. Por edhe teknoprofecia që kjo teknologji do të ndriçojë adoleshentët dhe do t’i bëjë shkencëtarë, edhe kjo është e gabuar. Ndaj duhet një rrugë e mesme, që ata të krijojnë me punë një koncept të qartë për veten e tyre.”

Pak ditë më parë, Parlamenti Europian miratoi në Strasburg një propozim jo-legjislativ për moslejimin e të miturve nën 16 vjeç të përdorin rrjetet sociale.

Mungesa e legjislacionit ka bërë që kjo çështje të shtojë vëmendjen në mbarë botën, pas Australisë, Malajzisë dhe Danimarkës që kanë vendosur përcaktimin e moshës minimale për regjistrimin e llogarive në media të caktuara sociale.