Mbreti i Jordanisë vizitë në Tiranë, pritet nga kryeministri Rama

Mbreti i Jordanisë vizitë në Tiranë

Mbreti i Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u prit në takim nga kryeministri Edi Rama.

Rama priti në ambientet e Kryeministrisë Mbretin e Jordanisë, ku zhvilluan edhe një takim kokë më kokë. Në fokus të diskutimeve ka qenë forcimi i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, ndërsa Rama e ka cilësuar Mbretin Abdullah II bin Al-Hussein si një mik të çmuar të shqiptarëve.

“I nderuar të mikprisja sot me një kënaqësi të veçantë, Mbretin e Jordanisë Abdullah II bin Al-Hussein, një monark i respektuar botërisht dhe një mik i çmuar posaçërisht”, shkruan Rama në rrjetet sociale pas takimit.

Më herët Mbreti i Jordanisë u prit me një ceremoni zyrtare nga Presidenti Bajram Begaj, ku palët kërkuan rritje të shkëmbimeve tregtare dhe nxitje të investimeve jordaneze në Shqipëri.