Mbledhja e përbashkët e 13 nëntorit – Qeveria Meloni e ratifikon, bashkëpunim strategjik në fusha të rëndësishme
Ratifikimi dhe zbatimi i marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, pas mbledhjes së 13 nëntorit në Romë, u miratua nga Këshilli i Ministrave i shtetit fqinj.
Me propozim të ministrit të Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, projektligji për ratifikimin dhe zbatimin të marrëveshjes mes dy vendeve fokusohet në fusha të rëndësishme si shëndetësia, energjia, menaxhimi i emigracionit, arsimi, inovacioni, diaspora, si edhe transformimi ekonomik dhe rritja e inteligjencës.
E quajtur “Marrëveshja Kornizë G2G”, rezultat i negociatave në qershor të këtij viti, marrëveshja përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishëm strategjikë të viteve të fundit në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, duke krijuar një kuadër gjithëpërfshirës, konsolidimin e lidhjeve historike e kulturore dhe mbështetjen e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Trembëdhjetë janë fushat kryesore, nga energjia me promovimin e burimeve të rinovueshme, mjedisi në mbrojtje të përmirësimit të zonës Adriatiko-Joniane, siguria dhe mbrojtja, modernizimi i shërbimeve të emergjencës në Shqipëri. Një tjetër pikë e rëndësishme është emigracioni.
Të dy vendet do të bashkëpunojnë për të luftuar emigracionin e parregullt, duke përfshirë iniciativat e Planit Mattei, një projekt strategjik i diplomacisë, dhe Porta Globale, një nismë e Bashkimit Europian.
Qëllimi i bashkëpunimit për emigracionin e parregullt është forcimi i patrullave detare shqiptare dhe gjetja e zgjidhjeve të reja sa i takon përgatitjeve të Paktit të BE-së për Migracionin dhe Azilin.
Në marrëveshje përfshihen edhe drejtësia dhe punët e brendshme, bashkëpunimi në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, si edhe transferimi i kriminelëve të dënuar.
Sipas njoftimit të qeverisë italiane, marrëveshja ofron një kornizë për zbatimin e projekteve të përzgjedhura me kritere të përbashkëta dhe të koordinuara nga Komiteti i Përbashkët i Bashkëpunimit, i cili mund të mbështetet edhe nga një sekretariat i përbashkët teknik.
