Mbledhja e parë me prokurorët e SPAK/ Klodjan Braho prezanton nesër prioritetet e hetimeve

Klodjan Braho p

Këtë të enjte në orën 08:30, kreu i SPAK, Klodjan Braho, do të zhvilloi mbledhjen e parë me trupën e prokurorëve, pas marrjes zyrtare të detyrës. Gjatë takimit, Braho pritet të prezantoi prioritetet kryesore të hetimeve që do të ndjekë institucioni në vijim.

Braho pasoi Altin Dumanin, i cili pas tre vitesh në krye të SPAK ka marrë drejtimin e seksionit për marrëdhëniet me jashtë. Ky sektor më herët drejtohej nga Arben Kraja, i emëruar në këtë detyrë nga Dumani, por që u rikthye si prokuror i thjeshtë.

Ndryshime janë bërë edhe në drejtimin e sektorëve të tjerë. Departamenti kundër krimit të organizuar, i drejtuar deri më tani nga prokurori Adnand Xholi, tashmë i kalon Vladimir Marës. Xholi do të vijojë punën si prokuror në këtë sektor, ndërsa Mara njihet për eksperiencën e tij në drejtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me antimafian italiane.

Një ditë më parë, kreu i SPAK, Klodjan Braho, priti në një takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato. Gjatë takimit u diskutua për vijimin e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për rolin kyç të SPAK në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ambasadori Gonzato vlerësoi punën e deritanishme të institucionit dhe theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve hetimore dhe respektimit të standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale.