Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak / Debate për dy projektrregullore të hartuara nga komisioni ad hoc
Mbledhja e parë e Këshillit Bashkiak Shkodër për vitin 2026 ka filluar me debate që lidheshin me mospërfshirjen në rendin e ditës të dy projekrregulloreve për dhënien e titujve të nderit dhe vendosjes së emërtimeve të rrugëve e institucioneve.
Këshilltari Bashkiak, Florian Bjanku, theksoi se kjo kërkesë ëdhtë bërë që nga viti i kaluar nga grupi i punës.
Në mbështetje të kësaj kërkese ishin dhe këshilltarë të tjerë, pjesë të komisionit ad- hoc, por nga ana e kreut të Këshillit Bashkiak, Oltion Luli, u vu në dukje se është sjellë draft dhe jo projekt akt.
Mbledhja vijoi me marrjen në shqyrtim të projektvendime që lidheshin me ndihmën ekonomike, shitjen e mjeteve të transportit për skrap, Këshillin artistiko-kulturor, planin e mbarështimit të pyjeve dhe kullotave, ndihmën financiare për dëmet e shkaktuara nga zjarri, raportin e punës së këtij këshilli për vitit e kaluar , subvencionin e qirasë për individë dhe familje në nevojë, projektin për instalimin e impianteve fotovoltaike në shkollat 9-vjeçare publike “Ndre Mjeda”, “Salo Halili” dhe “Ndoc Mazi”, për instalimin e shtyllës erëmatëse, si dhe plotësimin e vakancës së Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut .
Me përjashtim të projektvendimeve për plotësimin e vakancës së Këshillit të Qarkut dhe instalimin e shtyllës erëmatëse, të gjitha vendimet e tjera u miratuan me shumicën e votave të këshilltarëve.
