Mbi 13 000 familje përfitojnë nga sot kompensimin e pronave, Lamallari: Akt drejtësie!  

Lamallari

Mbi 13,000 familje, nga sot, kanë përfituar kompensimit e tyre për pronat e marra. Shteti shqiptar ka shpërndarë një fond prej rreth 1.4 miliardë lekësh për të kompensuar ish-pronarët, duke shlyer pjesën e mbetur prej 30% të kompensimit për 3527 subjekte.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, theksoi se ky proces nuk është vetëm një akt financiar, por një hap drejt drejtësisë.

“Shumë familje përfitojnë sipas ligjit kompensim financiar nga shteti për pronat e tyre. Edhe pse i referohemi si ish-pronarë, nga sot shteti  shqiptar shlyen plotësisht dhe vë në vend përfundimisht të drejtën që ju takon. Sapo miratuam listën me plot 3527 subjekte, që kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, për pjesën e mbetur prej 30 %. Me një fond rreth 1.4 miliardë lekë mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejtë nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare. Ky nuk është thjeshtë dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës sonë funksionale. Por diçka më tepër është një akt drejtësie. Është respekt për pronën, për ligjin dhe për qytetarin. Me këtë pagesë që do të marrim nga sot e në ditët në vijim kompensimi për këto familje sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të ATP-së quhet i kryer plotësisht dhe ne mbyllim kështu një kapitull të vjetër. Njëkohësisht jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve”, tha Lamallari.

Ministri Lamallari tha se akt mbyll një kapitull të vjetër dhe vë në vend të drejtën e tyre. Ai shtoi se ky proces është edhe një pjesë e angazhimit të Shqipërisë për t’u integruar më shpejt në Bashkimin Evropian.

“Kam kërkuar na Agjencia e Trajtimit të Pronës të ecë sa më shpejt më këtë proces, me transparencë dhe respekt rigoroz të ligjit dhe përmbushur kështu detyrimin që ne kemi karshi pronarëve të tjerë dhe sigurisht si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe liritë themelore janë të shenjat. Teksa ne përparojmë çdo ditë në rrugën pa kthim drejt BE-së, kompensimi financiar ndaj pronarëve është përmbushja e zotimit të qeverisë shqiptare ndaj të drejtës së tyre të njohur me ligj. Gëzuar!”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.