“Matilda” shkëlqen në Berat / Musical-i rrëmben 4 çmime në Festivalin Teatror të Beratit

Shfaqja teatrale muzikore “Matilda”, e sjellë me dashuri për publikun e vogël nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës në dhjetor të vitit 2024, ka shkëlqyer në edicionin e 5-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit për Fëmijë “1 mbi 1 dritaret”, që po zhvillohet në qytetin e Beratit.
E frymëzuar nga kryevepra e Roald Dahl dhe nën regjinë e Gerti Palalit, kjo shfaqje arriti të rrëmbejë plot katër çmime të rëndësishme: Çmimi i parë si Shfaqja më e mirë e festivalit, Aktorja më e mirë protagoniste (Jasemin Çaku), Aktorja më e mirë jo protagoniste (Hea Lohja) dhe Tematika më e mirë.
“Matilda” erdhi si një bashkëpunim mes aktorëve profesionistë të Teatrit “Migjeni” dhe talenteve të reja të QKF “Kujtim Alija”, duke ofruar një kombinim të shkëlqyer të interpretimit, kërcimit dhe këngës. Koreografia mbante firmën e Kozeta Bakiut, një emër i njohur në skenën artistike, e cila rikthehet pas shumë vitesh në Shkodër me emocion të veçantë.
Performanca energjike dhe emocionuese e trupës u ndoq me kërshëri nga publiku në sallën e teatrit të Beratit, ndërsa juria prestigjioze e festivalit e përbërë nga emra të njohur si Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Yllka Mujo dhe Mimoza Marjanaku vlerësoi lart cilësinë artistike të musical-it.
Ky sukses është një dëshmi e nivelit të lartë të krijimtarisë teatrore për fëmijë në Shkodër dhe një nxitje për vijimin e projekteve që edukojnë dhe frymëzojnë brezat e rinj përmes artit.