Mashtrim me mesazhe SMS, policia paralajmëron qytetarët: Mos klikoni linke të dyshimta, rrezikoni vjedhjen e llogarive bankare!

Mos klikoni linke nga burime të panjohura

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik ka ngritur alarmin për një skemë mashtruese që po përhapet përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, ku qytetarëve u kërkohen të dhënat bankare me pretekstin e përditësimit të tyre.

Autorët, ende të paidentifikuar, kanë arritur të vjedhin shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë bankare të qytetarëve që bien pre e mashtrimit.

Policia bën thirrje për kujdes maksimal dhe mosklikim të linkeve të dyshimta.

Bëhet e ditur nga autoritetet ligjzbatuese se shtetas ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linke të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve.

“Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare.”

Policia e Shtetit thekson se asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linkeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik njofton se po qarkullon një skemë mashtruese përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, ku kërkohet përditësimi i të dhënave bankare përmes linkeve të rreme. Pas klikimit dhe dhënies së të dhënave, autorët arrijnë të vjedhin para nga llogaritë bankare.

“Mos klikoni linke nga burime të panjohura;  Mos ndani të dhëna personale apo bankare në forma të dyshimta;   Verifikoni gjithmonë informacionin me institucionet përkatëse” apelon policia.

Policia e Shtetit vijon të ndjekë me prioritet këto raste dhe po punon me prioritet për identifikimin e autorëve në bashkëpunim me bankat dhe partnerët ndërkombëtarë.