Mashtrim dhe falsifikim automjetesh me qira, Prokuroria dërgon për gjykim 4 persona

Prokuroria dërgon

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër shtetas, të akuzuar për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”.

Sipas organit të akuzës, shtetasit A.K. dhe O.K. akuzohen për mashtrim të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, ndërsa shtetasja M.P. dhe A.K. akuzohen për falsifikim dokumentesh, gjithashtu të kryer në mënyrë të përsëritur.

Nga hetimet e procedimit penal nr. 71/2024 ka rezultuar se A.K. dhe O.K. kishin hapur në mënyrë fiktive faqen online “Autorental Tirana”, ku reklamonin automjete për dhënie me qira. Ata përdornin një numër telefoni të regjistruar në emër të një personi të tretë për të komunikuar me klientët dhe, pasi përfitonin pagesat për rezervimet, nuk u dorëzonin automjetet e premtuara.

E pandehura M.P., punonjëse pranë subjektit “F.K” PF, dyshohet se ka ndihmuar në regjistrimin e numrit celular në emër të një personi që nuk kishte dijeni për përdorimin e tij. Ndërkohë, A.K., administrator i subjektit “ERGI-2012”, me aktivitet edhe në transfertat e parave, akuzohet se ka firmosur formularë tërheqjeje shumash në emër të personave të tjerë, për paratë e dërguara nga viktimat e mashtrimit.

Pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe procedurale, Prokuroria ka dërguar çështjen penale për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.