Masat për pastrimin e qytetit / Ndërmarrja e Ujësjellësit në fokus mirëmbajtjen e pedonaleve

masat per pastrimin

Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër mëngjesin e kësaj të shtune u angazhua për larjen dhe pastrimin e pedonaleve në qytet në kuadër të përmirësimit të standardeve të pastërtisë dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.

Ekipet e pastrimit kanë nisur punën në orët e para të mëngjesit, duke përdorur automjetet speciale me presion të lartë uji, për të pastruar pluhurin, papastërtitë dhe mbetjet që grumbullohen përditë në zonat më të frekuentuara të qytetit.

Fokusi kryesor i kësaj ndërhyrje janë segmentet pedonale, si hapësira të rëndësishme për lëvizjen e qytetarëve, por edhe tri prej pikave kryesore urbane të Shkodrës.

Nga pedonalja “Kolë Idromeno” te rruga përgjatë qendrës historike të Gjuhadolit dhe pedonalja pranë Bashkisë Shkodër, pastrimi synon jo vetëm përmirësimin e higjienës publike, por edhe rritjen e cilësisë për banorët dhe vizitorët e shumtë.

Kjo ndërhyrje është pjesë e një plani periodik për pastrimin e qytetit, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur Shkodra pret numër më të madh turistësh dhe aktiviteti në hapësirat publike shtohet ndjeshëm.

Nga ana tjetër, thirrja e Shoqërisë Rajonale të Ujësjellësit shkon për qytetarët dhe bizneset që të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë, duke mos ndotur rrugët dhe pedonalet që pastrohen sipas planit të punës.

Ndërkohë,  Ujësjellësi i Shkodrës do të vijojë me të njëjtin intensitet edhe në ditët në vijim, duke përfshirë zona të tjera të qytetit, me qëllim garantimin e një mjedisi sa më të pastër dhe mikpritës për të gjithë.