Marrëdhëniet Turqi–Shqipëri, Oktay: Forcojmë partneritetin në të gjitha fushat, mbështesim integrimin tuaj dhe të Kosovës në BE

edogan ram

Mbështetja e Shqipërisë nga Turqia në fusha kryesore, si ekonomia, shëndetësi, arsimi apo mbrojtja, janë disa nga pikat kyçe në marrëdhëniet dypalëshe që po intensifikohen kohët e fundit.

Sipas ish-zëvendëspresidentit turk, i cili aktualisht mban postin e kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Fuat Oktay, marrëdhëniet midis dy shteteve do të ngrihen në një nivel tjetër në të gjithë sektorët prioritarë.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë po zhvillohen në kuadër të një partneriteti strategjik shumë të fortë dhe, veçanërisht vitet e fundit, kanë marrë një dimension gjithnjë e më të thelluar dhe të gjithanshëm. Si në aspektin e çështjeve dhe mundësive rajonale në Ballkan, ashtu edhe në marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet që prekin të gjithë rajonin, po zhvillohet një shkëmbim shumë intensiv mendimesh dhe bashkëpunimi. Në këtë kuadër, është krijuar një kanal komunikimi i hapur midis dy vendeve. Në të gjitha fushat – politike, tregtare, shoqërore – po shfrytëzohen mundësitë dhe bashkëpunimi mbahet në nivelin më të lartë. Marrëdhëniet e ngushta mes Presidentëve, Kryeministrave dhe ministrive përkatëse kanë çuar këto lidhje në një nivel edhe më të avancuar.

Ne ndodhemi këtu për të kontribuar në këtë proces edhe në nivel parlamentar, krahas aktiviteteve të qeverisë që kemi zhvilluar dje dhe sot. Kur shikojmë aspektin ekonomik të marrëdhënieve, shohim një volum tregtar prej rreth 1 miliard dollarësh. Por, duke pasur parasysh potencialin e Shqipërisë dhe Turqisë, kjo shifër mund të arrijë në 2 miliardë dollarë dhe madje të tejkalojë këtë nivel. Në sektorin e shëndetësisë, po vazhdon procesi i transferimit të teknologjisë në institucionet që kemi ndërtuar dhe mbështetur për nga funksionimi. Kemi dëshirë të zgjerojmë këtë bashkëpunim në të gjithë sektorin shëndetësor.

Kemi bashkëpunime të forta në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës. Gjithashtu, ka mundësi shumë të rëndësishme në fushat e teknologjisë, energjisë së gjelbër dhe ekonomisë digjitale. Edhe në industrinë e mbrojtjes ka një komunikim dhe bashkëpunim shumë të avancuar midis dy vendeve. Besojmë se ka mundësi shumë të mëdha për investime dhe prodhim të përbashkët.

Çështjet rajonale janë gjithashtu me rëndësi. Shqipëria, me përbërjen e saj etnike dhe fetare të larmishme, është një vend që ka arritur ta ruajë këtë diversitet në paqe dhe është përqendruar në zhvillim. Kjo e bën Shqipërinë një shembull shumë të rëndësishëm për Ballkanin. Kemi pasur mundësi të diskutojmë jo vetëm çështjet brenda Shqipërisë, por edhe zhvillimet në rajon. Një nga këto çështje është Kosova. Komanda e KFOR-it në kuadër të NATO-s ishte në dorën tonë, e kemi dorëzuar, por në vjeshtë do ta marrim përsëri. Gjatë vizitës sime në Kosovë, pashë se ekziston një bashkëpunim dhe besim shumë i fortë si në nivelin e komunitetit, ashtu edhe në hierarkinë e komandës. Njerëzit ndihen më të sigurt,” tha z. Oktay.

Gjatë intervistës, kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë shprehu mbështetjen e Shqipërisë dhe Kosovës në rrugëtimin drejtë Bashkimit Europian dhe bashkëpunimin në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Ne mbështesim integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kemi bashkëpunim me Kosovën në kuadër të NATO-s. Me Shqipërinë gjithashtu kemi një partneritet në këtë drejtim. Samiti i NATO-s do të mbahet në Turqi vitin tjetër dhe më pas në Shqipëri. Kjo tregon se bashkëpunimi ynë është shumëdimensional dhe i qëndrueshëm. Do të vazhdojmë ta mbështesim krijimin e institucioneve të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj.

Mbi 800 kompani turke janë aktive këtu dhe Turqia është në vendin e 5-të për nga investimet. Biznesmenët turq kanë bërë investime që kalojnë 3.5 miliardë dollarë. Do të diskutojmë problemet dhe mundësitë e reja për bashkëpunim. Turqia inkurajon fuqishëm rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sipërmarrësve të të dy vendeve dhe zgjerimin e volumit tregtar dhe investimeve.

Kryeministri Edi Rama është dikush me të cilin kam pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë gjatë kohës që kam qenë Zëvendëskryetar. E njoh mirë potencialin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Prandaj jemi këtu si Komision i Punëve të Jashtme për ta çuar më tej këtë bashkëpunim edhe në nivel parlamentar dhe për të kapërcyer çdo pengesë ligjore nëse ka.

Vizituam gjithashtu universitetin turk në Shqipëri që funksionon nën Fondacionin Maarif. Ky institucion ka afër 2500 studentë dhe rezultatet e tij janë shumë të mira. 14 nxënës që kanë dalë nga këto shkolla janë renditur të parët në provimet e maturës, gjë që është për t’u krenuar. Gjuha shqipe jepet si lëndë me zgjedhje në Turqi dhe është e akredituar. Po punohet gjithashtu që edhe turqishtja të ofrohet si lëndë me zgjedhje në shkollat e Shqipërisë.

TIKA ka realizuar mbi 600 projekte në Shqipëri. Këto janë projekte që kanë ringjallur trashëgiminë kulturore dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Po ashtu, ekziston një bashkëpunim i fuqishëm në turizëm. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me natyrë, klimë dhe plazhe të jashtëzakonshme. Turqia priti 64 milionë turistë në vitin 2024 dhe arriti mbi 60 miliardë dollarë të ardhura nga turizmi. Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë në këtë drejtim, duke shumëfishuar numrin e turistëve dhe të ardhurat nga turizmi.

Në aspektin kulturor, kemi shumë vlera të përbashkëta. Edhe pse kjo është vizita ime e parë në Shqipëri, nuk jam ndjerë si i huaj. Ndihem si në Turqi. Po të njëjtin ndjenjë e kanë edhe miqtë shqiptarë kur vizitojnë Turqinë. Kjo tregon sa e rëndësishme është kjo ndarje e përbashkët e historisë dhe kulturës. Ne do ta forcojmë këtë bashkëpunim në të gjitha fushat: politike, ekonomike, ushtarake dhe shoqërore,” u shpreh z. Oktay.

Nga ana tjetër Kryetari i komisionit të jashtëm parlamentar, paralajmëroi një vizitë tjetër të rëndësishme në Shqipëri, atë të ministrit Turk të Drejtësisë i cili pritet të mbërrijë në Shqipëri pas disa ditësh.