Manja: Integriteti i magjistratit, detyrim kushtetues, por s’garantohet vetëm me kuadrin ligjor

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, teksa ka folur lidhur me integritetin e magjistratëve, theksoi se nuk mjafton vetëm kuadri ligjor për ta garantuar atë. I pranishëm në konferencë “Dimensioni i Integritetit në funksionin e magjistratit”, Manja theksoi se integritetin e magjistratit e garanton sistemi i drejtësisë si pushtet i vetorganizuar.
“Integriteti i magjistratit nuk është vetëm një nocion kushtetues dhe ligjor. Me reformën në drejtësi, kuadri ynë ligjor siguron kornizën, garancinë formale dhe bazën për ndërtimin e një sistemi drejtësie me integritet. Por a mjafton vetëm kuadri ligjor? Vetëm ligji nuk mjafton. Ligji i vetëm nuk e garanton dot dhe nuk e jetëson dot integritetin e magjistratit në praktikë, atë e garanton në përditshmëri vetë magjistrati me vendimet dhe sjelljen e tij, e garanton sistemi i drejtësisë si pushtet i vetorganizuar, nëse është i vendosur për të mbrojtur pavarësinë e vet, standardet e veta”, tha ai.
Ndalur te Reforma në Drejtësi, Manja tha se procesi i vetingut ishte “një ndërhyrje e jashtëzakonshme, por e dhimbshme”, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të kryejnë siç duhet detyrat e tyre, në mënyrë që të mos bëhet më e nevojshme një ndërhyrje e tillë.
“Reforma në drejtësi me procesin e vetingut ishte një ndërhyrje e jashtëzakonshme, por vetingu nuk është dhe nuk mund të jetë ilaçi i përhershëm për të garantuar integritetin e sistemit, ai përfundon në qershor të 2026 dhe i përket arkivit të historisë së sistemit të drejtësisë në Shqipëri pas këtij momenti. Pyetja është çfarë vjen pas vetingut. Integritetin duhet ta garantojnë vetë magjistratët, vetë gjykatat dhe prokuroritë dhe vetë organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Nuk mund të kemi një pushtet të pavarur siç është drejtësia, nëse nuk kemi një pushtet që i kërkon llogari vetes. KLP dhe KLGJ kanë përgjegjësinë kushtetuese për të garantuar integritetin dhe pavarësinë e sistemit. Inspektori i Lartë i Drejtësisë garanton rolin e llogaridhënies dhe integritetin, por roli i tij nuk mund të shihet i shkëputur nga ai i këshillave. Kur institucionet kanë si qëllim të përbashkët pavarësinë dhe integritetin e sistemit, atëherë mbrohet si duhet edhe interesi publik”, theksoi ministri.