Manja akuzon Prokurorinë e Shkodrës: Vendimi për Thethin minon Reformën në Drejtësi dhe integrimin në BE
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka lëshuar një akuzë të ashpër ndaj Prokurorisë së Shkodrës dhe prokurores Elsa Gjeli, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Shkak i kësaj kërkese është vendimi i prokurores Gjeli për të mos nisur hetimet lidhur me ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit. Sipas Manjës, ky vendim jo vetëm që minon Reformën në Drejtësi, por është edhe një pengesë serioze për ambicien e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Në një deklaratë për mediet, Manja theksoi se “Shqipëria 2030 në BE ndërtohet çdo ditë në çdo institucion”.
Ai kritikoi ashpër Prokurorinë e Shkodrës, duke deklaruar se “institucione si Prokuroria e Shkodrës, që marrin në mbrojtje publike mosveprimin e një prokuroreje ndaj një vepre të rëndë penale si ndërtimi i një fshati të tërë turistik në zemër të një zone të mbrojtur si Thethi, nuk janë në lartësinë e misionit të madh kombëtar të anëtarësimit evropian të Shqipërisë”.
Pasaktësitë e vendimit
Ministri theksoi se Thethi është një Park Kombëtar i mbrojtur nga ligje të shumta, dhe se prokurorja duhej të kishte marrë mendimin e organeve kompetente për zonat e mbrojtura.
“Vendimi tregon nxitim, paaftësi profesionale dhe tendenca të qarta për të mos ushtruar funksionin e ndjekjes penale,” tha Manja, duke shtuar se ka edhe “pasaktësi të tjera ligjore që e bëjnë të cenueshëm këtë vendim.”
Pika më kritike e adresuar nga Manja ishte fakti se prokurorja Gjeli i është referuar një ligji të shfuqizuar për të justifikuar vendimin e saj.
“Absurdi qëndron se prokurorja Elsa Gjeli kur përligj vendimin, i referohet një ligji të shfuqizuar që nuk është më në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Tani në Shqipëri vepron ligji 20/20. I është referuar një ligji të vdekur juridikisht,” shpjegoi Manja.
Minimi i Reformës në Drejtësi dhe shtetit të së drejtës
Manja ritheksoi se “Shqipëria 2030 në BE nuk ndërtohet duke lejuar paligjshmërinë apo me justifikime teknike.”
Ai argumentoi se refuzimi për të hetuar një vepër të tillë penale, si dhe përpjekjet e Prokurorisë së Shkodrës për të mbrojtur këtë vendim, bien ndesh me frymën e Reformës në Drejtësi dhe me pritshmëritë e qytetarëve për një drejtësi të paanshme.
“Prokuroria si institucion duhet të japë dhe llogari para qytetarëve, të Shkodrës në rastin konkret, për mbrojtjen e territorit. Drejtësia nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë dëmeve mjedisore,” deklaroi ministri.
Ai shtoi se ky rast “krijon precedentë të rrezikshëm në ushtrimin e funksionit të ndjekjes penale dhe i hap rrugës paligjshmërisë në territor.”
Në përfundim, Ministri i Drejtësisë i bëri thirrje ILD-së dhe KLP-së që të veprojnë pa vonesë dhe të hetojnë rastin në përputhje me përgjegjësitë ligjore. Manja theksoi se integriteti, ligjshmëria dhe besimi i publikut te drejtësia janë në rrezik, pasi vendime të tilla minojnë përpjekjet 10-vjeçare për Reformën në Drejtësi dhe cenojnë shtetin e së drejtës, si dhe misionin evropian të Shqipërisë.
