Mandati i Ballukut, Bardhi: Deputetët e PS kërkuan 1 muaj kohë. Do ta thërrasim mbledhjen e këshillit të hënën ose të martën
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi ka folur pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, i cili u mblodhe pasi SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit për deputeten e PS, zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Bardhi tha se deputetët e maxhorancës u bënë qesharakë duke deklaruar fillimisht që nuk e donin dosjen dhe pas përgjigjes së SPAK thanë se duhet kohë, duke kërkuar 1 muaj afat.
Nga ana tjetër, ai tha se ½ e deputetëve të Këshillit të mandateve, pra 5 deputetët e PD-së do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit ditën e hënë ose të martë.
“Sot jemi marrë vetëm me procedurë. Nëse deputetët kishin apo jo të drejtë për të pasur dosjen e plotë të sjellë nga SPAK. Ajo që kishim thënë u konfirmua dhe nga SPAK. Secili deputet, anëtar i këshillit të mandateve do duhet ta ketë të plotë, përfshi USB-në e famshme dhe sot u zbulua edhe skenari pse u kyç USB-ja. Kyçja ishte bërë për t’i dhënë alibinë zv.kryeministres se nuk ishte njohur me aktet e plota.
Propozimi ynë ishte që mbledhja të ndërpritej për të vijuar të hënën. U zbulua skenari që Edi Rama nuk e ka vendosur akoma se çfarë do të bëjë me Ballukun për t’i dhënë kohë vetes. U bënë aq qesharakë sa kërkuan që mbledhja e radhës të jetë pas një muaji. Ndërkohë që nga ana tjetër tre prokurorët e SPAK, të cilët dua t’i falënderoj, bënë të qartë që çdo vonesë, pra kjo është një çështje e ngutshme u shpreh prokuroria dhe se çdo vonesë mund të rrezikojë provat”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, mbledhja u mbyll nga kryetari pa një datë. Kreu i grupit demokrat tha se është e rëndë që Kuvendi të bëhet pengesë për drejtësinë.
“Edhe pse kërkuan 20 minuta pushim, kryetari i Kuvendit tha e mbyll mendjen, për datën do t’ju njoftoj një ditë tjetër. Është shumë e rëndë që Kuvendi të bëhet pengesë për drejtësinë. Kjo është e papranueshme për opozitën dhe 5 anëtarë në Këshillin e Mandateve, 5 deputetët e PD në Këshill do të thërrasin të hënën mbledhjen ose maksimumi të martën. Këshilli ka deklaruar se cilido deputet, anëtar i këshillit të marrë provat. Tre orët e para të mbledhjes kolegët e maxhorancës ishin që të mos i merrnim provat. Kur tha prokuroria nuk ka problem për ne, mund t’i merrni provat sepse është e drejtë e deputet, thanë duam kohë se janë shumë faqe”, tha më tej Bardhi.
