Malaj: Shqipëria synon të bëhet pjesë e Unionit Doganor, përafrojmë standardet me BE-në

Në konferencën e nivelit të lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave në Ballkanin Perëndimor, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se sipërmarrjet shqiptare duhet të jenë të gatshme të konkurrojnë me vendet e Bashkimit Evropian teksa Shqipëria kërkon të bëhet pjesë e Unionit.
Ai theksoi se sipërmarrjet shqiptare duhet të tërheqin investime të huaja dhe të zgjerohen në tregje të reja.
“Vetëm duke punuar bashkë, vetëm duke bashkuar forcat mund të arrijmë rezultate konkrete dhe të arrijmë një konkurrencë të ndershme i cili është integrimi në Bashkimin Evropian.
Shqipëria ashtu si edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë një ambicie të përbashkët siç është integrimi në BE.
Për të arritur në këtë finish sipërmarrjet tona duhet të jenë të gatshme të konkurrojnë në tregun e BE-së. Duam që ndërmarrjet tona të tërheqin sa më shumë investime të huaja dhe të shtrihen në tregje të reja”, u shpreh Malaj.
Ministri i Financave vuri në dukje se sipërmarrja është partneri kryesor i qeverisë, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare po ndërmerr një nga reformat më gjithëpërfshirëse në historinë e administratës doganore.
Ai shtoi se Shqipëria po punon me përkushtim për t’u bërë pjesë e Unionit Doganor.
“Sipërmarrja do të jetë partneri ynë kryesor dhe ne si qeveri shqiptare po ndërmarrim reforma për t’i mbështetur për një zhvillim të qëndrueshëm të klimës së të bërit biznes.
Në Shqipëri ne po ndërmarrim një nga reformat më gjithëpërfshirëse në historinë e administratës doganore.
E teksa po punojmë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sapo kemi hapur kapitullin 29 mbi doganat të cilin për Ministrinë e Financave e ka një prioritet kyç.
Jemi duke punuar me përkushtim për t’u bërë pjesë e Unionit Doganor, ndaj prioritetet tona përfshijnë forcimin dhe përafrimin e proceseve doganore me Bashkimin Evropian”, tha Malaj.