Malaj: “Paqja fiskale” kapitull i ri partneriteti. Ekonomia shqiptare drejt 35 miliardë eurove në 2030
Ministri i Financave, Petrit Malaj, i pranishëm në takimin e kryeministrit Edi Rama me komunitetin e biznesit, ku mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi vizionin e qeverisë për paketën e “Paqes fiskale” dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në fjalën e tij, Malaj theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm dhe partneritetit mes qeverisë dhe sipërmarrjes, duke e cilësuar biznesin si partner kyç në hartimin e politikave fiskale.
Ai solli si shembull Ligjin e Paqes Fiskale dhe ligjin për faljen e detyrimeve tatimore e doganore, të cilat u konceptuan pas konsultimeve me komunitetin e biznesit dhe në përputhje me praktikat më të mira europiane.
“Sipërmarrja është dhe do të mbetet partner kyç në hartimin e politikave që ne ndërmarrim. Një pjesë e politikave që ne zbatojmë vijnë si rezultat i kërkesave tuaja, nisur nga sfidat apo shqetësimet që ju keni në përditshmërinë tuaj, apo edhe nga planet afatgjata për investimet që do të doni të kryeni,” tha ai.
Ministri solli në vëmendje shifrat e rritjes ekonomike të dekadës së fundit. Ai deklaroi se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur mbi tre herë, nga 9.6 miliardë euro në vitin 2013 në 27 miliardë euro sot, ndërsa projeksioni i qeverisë është që në vitin 2030 ekonomia shqiptare të arrijë në 35 miliardë euro.
“Kjo nuk është vetëm një statistikë, por rritja e PBB përkthehet në një ekonomi shumë më aktive, në më shumë vende pune, në më shumë investime dhe më shumë siguri. Të ardhurat për frymë janë trefishuar, nga 3,300 euro në vitin 2013 në mbi 10,400 euro sot, dhe objektivi ynë është që në vitin 2030 të kalojnë në 15 mijë euro,” u shpreh ministri.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka pasur një ritëm rritjeje më të shpejtë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me një rritje mbi 110% në dekadën e fundit, krahasuar me mesataren prej 58% të rajonit.
Duke folur për Paketën Fiskale 2026, Malaj e cilësoi atë si një qasje strategjike dhe jo thjesht teknike.
“Paketa fiskale 2026 nuk është thjesht një ushtrim teknik që qeveria ndërmerr, por është paraqitja politike dhe strategjike e kësaj qeverie. Ajo është hartuar me synimin për të mbështetur biznesin, për të lehtësuar barrën administrative dhe për të krijuar një mjedis më konkurrues, pa rritur taksat. Kjo është një arritje e madhe pasi kemi rritur të ardhurat e buxhetit pa rritur barrën fiskale për secilin nga ju,” tha Malaj.
Ai bëri të ditur se paketa përbëhet nga tetë ligje, ku katër kryesore janë: ligji për faljen e detyrimeve tatimore, ligji i paqes fiskale, TVSH-ja në bujqësi dhe ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme. Sipas tij, këto ligje janë të harmonizuara me Programin Qeverisës 2025–2029 dhe me objektivat e integrimit në Bashkimin Europian.
“Qëllimi ynë mbetet i qartë: duam të garantojmë një sistem fiskal i thjeshtë, transparent dhe i drejtë. Duam të ngremë një sistem që nxit konkurrencën e ndershme, forcon besimin dhe afron kuadrin tonë fiskal me kuadrin fiskal të Bashkimit Europian,” theksoi Malaj.
Në përfundim, ministri i Financave u ndal tek integrimi europian, duke e cilësuar atë si një proces që prek drejtpërdrejt sektorin privat. Ai u bëri thirrje bizneseve që të përgatiten për tregun e BE-së dhe të bashkëpunojnë ngushtësisht me qeverinë për të realizuar vizionin “Shqipëria 2030”.
“Integrimi europian për Shqipërinë nuk është vetëm proces diplomatik. Reformat që ne po ndërmarrim prekin edhe sektorin privat. Biznesi shqiptar duhet të ketë të gjitha njohuritë e nevojshme për të kuptuar si funksionon tregu i BE-së, të jetë i përgatitur dhe të ketë avantazhe konkurruese përpara se të hyjë në këtë treg. Vetëm së bashku do ta çojmë Shqipërinë përpara, drejt një ekonomie moderne, konkurruese dhe europiane,” përfundoi Malaj.
