Malaj: Mbi 50 milionë euro fonde në dispozicion për emergjencat civile

malaj emergj

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ka dhënë detaje mbi fondet e parashikuara për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq dhe përmbytjet e ditëve të fundit.

Ai theksoi se buxheti i shtetit ka parashikuar një sërë mekanizmash financiarë për të mbështetur strukturat e emergjencave dhe njësitë vendore.

Malaj u shpreh se “nga ana e Ministrisë së Financave, në programin e Emergjencave Civile kemi parashikuar rreth 30 milionë euro të cilat janë të ndara në shpenzime kapitale për programin e Emergjencave Civile dhe ka të bëjë me financimin e objekteve apo projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Vlera që kemi alokuar për këtë program është rreth 15 milionë euro”.

Ai shtoi se është planifikuar edhe një fond i kushtëzuar për emergjencat civile, i cili do të menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes.

“Kemi planifikuar fondin e kushtëzuar për emergjencat civile që është rreth 10 milionë euro dhe është një transfertë e kushtëzuar që menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas një metodologjie dhe e mbështetur në hartën e riskut që po kryen kjo ministri”, tha Malaj.

Ministri bëri të ditur se në dispozicion është edhe fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

 “Kemi edhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave në vlerën rreth 25 milionë euro që do të vendoset në dispozicion në varësi edhe të vlerësimeve që do të bëhen nga strukturat përkatëse përsa i përket dëmeve të shkaktuara”, u shpreh ai.

Një tjetër mekanizëm financiar lidhet me sigurinë e digave dhe rezervuarëve, ku sikurse deklaroi ministri, “kemi edhe fondin për digat dhe rezervuarët, i cili është një fond për shpenzimet kapitale dhe lidhet me financimin e projekteve që lidhen me sigurimin e digave dhe të rezervuarëve. Ky fond është rreth 5 milionë euro”.

Në përfundim, ministri i Financave theksoi se vlera totale e fondeve të disponueshme për emergjencat civile kalon mbi 50 milionë euro.

“Kështu që në total, nëse do të bënim një vlerësim të fondeve që kemi në dispozicion, vlera shkon mbi 50 milionë euro që janë të disponueshme për situatën e krijuar aktualisht”, tha ai.