Malaj dhe Gazheli prezantojnë në Aeroportin e Rinasit Manualin Doganor për Pasagjerët: Lehtëson udhëtimin
Ministri i Financave Petrit Malaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli kanë prezantuar sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, Manualin Doganor për Pasagjerët, botimin e parë të këtij lloji nga Administrata Doganore Shqiptare.
Ky manual i ri përmbledh në një dokument të vetëm të gjitha rregullat kryesore për hyrjen dhe daljen e pasagjerëve nga Shqipëria, duke ofruar informacion të qartë dhe të detajuar mbi mallrat e lejuara dhe të ndaluara, kufijtë pa detyrim doganor, deklarimin e valutës dhe mjeteve të pagesës, barnat personale, udhëtimin me kafshë shtëpiake, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore si dhe procedurat për automjetet me targa të huaja.
Gjatë prezantimit, Ministri Malaj deklaroi se “shumë qytetarë hasin vështirësi për të kuptuar procedurat doganore. Ky manual u ofron atyre një udhërrëfyes të qartë, që thjeshton udhëtimin dhe garanton një proces më të qetë e më transparent”.
Nga ana e tij, drejtori Gazheli theksoi se “Manuali është i aksesueshëm menjëherë me një klikim në faqen zyrtare të Doganave dhe përmes kodit QR që do të vendoset në të gjitha pikat kufitare. Kjo masë rrit transparencën dhe unifikon komunikimin me publikun”
Sipas Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Doganave ky botim i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve doganore dhe garantimit të një përvoje më efikase për qytetarët, në përputhje me standardet evropiane.
Manuali Doganor për Pasagjerët është tashmë i publikuar online dhe i disponueshëm për të gjithë udhëtarët në: https://dogana.gov.al/manuali_pasagjeret.pdf.
