Macron: SHBA-të nën drejtimin e Trump po largohen nga aleatët

Presidenti francez Emmanuel Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e Donald Trump po largohen gradualisht nga aleatët.

Duke përsëritur kritikat nga homologu i tij gjerman, Macron paralajmëroi për politikën gjithnjë e më të vendosur të SHBA-së.

“Institucionet shumëpalëshe po funksionojnë gjithnjë e më pak në mënyrë efektive. Ne jetojmë në një botë fuqish të mëdha me një tundim të vërtetë për ta ndarë botën”, tha Macron në fjalimin e tij vjetor para ambasadorëve francezë.

Nga ana e tij, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kritikoi ashpër politikën e jashtme të SHBA-së nën drejtimin e Donald Trump , duke paralajmëruar se “ekziston një ndarje e vlerave nga partneri ynë më i rëndësishëm, SHBA-të, të cilat ndihmuan në ndërtimin e këtij rendi botëror” që në fillim.

Steinmeier tha se sjellja e SHBA-së përfaqësonte një përçarje të dytë historike të rendit botëror pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.

Ai bëri thirrje gjithashtu që të bëhet më shumë për të “parandaluar që bota të shndërrohet në një strofull hajdutësh, ku më të paskrupullt marrin çfarë të duan”.

Presidenti foli gjithashtu për presionin me të cilin përballen demokracitë “si nga jashtë ashtu edhe nga brenda”, veçanërisht nga narrativat autoritare dhe nacionaliste dhe diskursi publik “agresiv”.