Lumi Buna i lirë pas 50 vitesh, përfundon faza e dytë e pastrimit

Lumi Buna i lirë

Lumi Buna tashmë rrjedh i lirë në shtratin e tij, pas përfundimit të fazës së dytë të ndërhyrjes për pastrimin e shtratit pranë zonës së Dajlanit.

Këtë e njoftoi të enjten Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili e cilësoi operacionin si një hap të rëndësishëm drejt një “epoke të re” për këtë pasuri natyrore.

“Pas 50 vitesh, lumi Buna rrjedh i lirë në shtratin e vet,” shkroi Beci në një postim në rrjetet sociale, duke shprehur falënderime për të gjitha strukturat që kontribuan në këtë ndërhyrje.

Ai theksoi në mënyrë të veçantë mirënjohjen ndaj Forcave të Armatosura, nën kujdesin e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Sipas kryebashkiakut, ekipet në terren shfaqën profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Operacioni u drejtua nga Nënkolonel Shkumbin Gjana dhe Nënkolonel Egert Kuka, me mbështetjen e Kolonel Shkëlzen Mhillaj, drejtues i operacionit. Ata bënë të mundur çmontimin e plotë të strukturës metalike të dajlanit në lumin Buna.

Beci theksoi se ky operacion nuk është vetëm një arritje teknike, por edhe “një hap i madh drejt mbrojtjes së mjedisit dhe rikthimit të lirisë natyrore të lumit Buna”, i cili është një aset i çmuar për Shkodrën dhe gjithë rajonin.

Faza e parë e ndërhyrjes për pastrimin e shtratit të lumit Buna përfshiu heqjen e rrjetave dhe pinarëve, ndërsa faza e dytë u fokusua në heqjen e pjesëve metalike që kërkonin ndërhyrje më të specializuara.