Lufta me Ukrainën, Putin: Do të marrim territoret me forcë nëse diplomacia nuk funksionon

puttiiinn

I sigurt për arritjen e qëllimeve të luftës që nisi në Ukrainë gati katër vite më parë, u shpreh të mërkurën presidenti rus Vladimir Putin. Duke i cilësuar thirrjet e disa vendeve perëndimore për t’u përgatitur për një luftë me Rusinë si histeri dhe gënjeshtër, Putin paralajmëroi Kievin dhe partnerët e tij evropianë se, nëse diplomacia nuk funksiononte, do të përdorte mjetet ushtarake për të marrë plotësisht nën kontroll territorin ukrainas që pretendon se e ka aneksuar.

“Qëllimet e operacionit special ushtarak padyshim që do të përmbushen. Do të donim t’i adresonim shkaqet e konfliktit përmes diplomacisë. Por nëse vendi kundërshtar dhe padronët e tij të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e territoreve të saj historike përmes mjeteve ushtarake”, tha Putin.

Deklarata e Putinit erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi bisedime me zyrtarë amerikanë, gjatë të cilave raportohet se këta të fundit kërkuan që Kievi të hiqte dorë nga pjesë të krahinave të Donetskut dhe Luhanskut që ende i ka nën kontroll, një çështje që vazhdimisht është refuzuar nga Kievi.

Zyrtarët amerikanë ndërkohë bënë me dije se pas dy ditësh bisedimesh që u mbajtën në Berlin ishte zgjidhur 90 për qind e çështjeve problematike mes Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse Rusia nuk ishte e pranishme në takim.

Ndërkohë, udhëheqësit evropianë mblidhen të enjten në Bruksel për planin për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për financimin e Ukrainës, çka Moska e ka cilësuar vjedhje dhe ka kërcënuar se do të sekuestrojë asetet e investitorëve privatë evropianë në Rusi.