Lufta me Rusinë-Zelensky: Putini dhe kriminelët rusë duhet të përballen me drejtësinë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se të gjithë kriminelët rusë të luftës, përfshirë edhe Vladimir Putinin, duhet të vendosen përpara drejtësisë.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë fjalimit të tij në samitin e NATO-s në Hagë, ku theksoi se krijimi i një gjykate special është vetëm fillimi për të hetuar dhe gjykuar zyrtarët rusë që kanë kryer krime lufte.
“Marrëveshja e sotme për të krijuar një gjykatë është vetëm fillimi. Tani duhet të ndërmarrim hapa të vërtetë për të siguruar që drejtësia të funksionojë. Nevojitet bashkëpunim i fortë politik në mënyrë që çdo kriminel lufte rus të nxirret para gjyqit, përfshirë Putinin”, tha presidenti.
Zelensky theksoi se drejtësia duhet të funksionojë në një mënyrë që nuk lë asnjë shteg në botë për ata që kanë kryer krime agresioni. Ai e quajti Hagën vendin ideal për të dhënë drejtësi.
Gjithashtu u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), duke i nxitur ata të ruajnë mbështetjen e tyre dhe të mbeten liderë në avancimin e drejtësisë ndërkombëtare.
“Mbajtja përgjegjëse e autorëve është një element thelbësor i mbrojtjes së jetës njerëzore dhe ruajtjes së rendit ndërkombëtar. Drejtësia duhet të vendosë një parim të qartë: asnjë akt agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje. Ai duhet të regjistrohet, dënohet dhe ndëshkohet”, tha Zelensky.
Edhe pse Zelenskyy udhëtoi për në Hagë, ai nuk u ftua të merrte pjesë në takimin me dyer të mbyllura të udhëheqësve të NATO-s.
Zelensky u takua gjithashtu me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për rreth 50 minuta në margjinat e samitit të NATO-s.
Në këtë takim, Zelensky ka ngritur dy çështje kryesore gjatë takimit: blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën dhe sanksionet kundër Rusisë.
Më pas Trump e cilësoi takimin si “shumë të këndshëm”, pavarësisht asaj që ai e quajti “kohë të vështira në të kaluarën” midis dy udhëheqësve.
