Lufta kundër korrupsionit dhe zgjedhjet e lira, deputetët e opozitës takojnë Presidentin e IRI dhe NDI në SHBA

deputetët e opozitës ta

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut Jorida Tabaku, deputetët  Albana Vokshi, Belind Këlliçi dhe Ivi Kaso, gjatë vizitës zyrtare në SHBA, u takuan me Drejtorin e Institutit Republikan Amerikan (IRI) Daniel Twining dhe Presidenten e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), Tamara Cofman Wittes. 

Përfaqësuesit e opozitës kanë shkëmbyer informacionet e tyre mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe regresin që po bën vendi në drejtim të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjedhjet e lira dhe funksionimi demokratik i institucioneve kanë qenë tema e diskutimit në këto dy takime.

Sipas deputetëve të opozitës, raporti i OSBE-ODIHR nxori në pah se në Shqipëri proceset zgjedhore janë shndërruar në farsa zgjedhore për shkak të shkrirjes së shtetit me partinë në pushtet gjatë zgjedhjeve, përdorimit të parave të korrupsionit dhe bashkëpunimit të qeverisë me krimin e organizuar. Ata theksuan se rrënimi i zgjedhjeve është rrënim i demokracisë, për shkak se rrit abuzimin me pushtetin dhe arrogancën në qeverisje. 

“Përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë është rrezik për demokracinë dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut. Kryeministri Edi Rama kontrollon në Shqipëri pushtetin ekzekutiv, pushtetin legjislativ, pushtetin lokal, median dhe një pjesë të konsiderueshme të pushtetit gjyqësor”, deklaruan përfaqësuesit e opozitës gjatë takimit. 

Deputetët e opozitës kanë kërkuar mbështetjen e IRI dhe NDI për opozitën dhe proceset demokratike në Shqipëri.