Loti 2 i rrugës së Dukagjinit – Kryetari i Bashkisë Shkodër inspekton punimet në pjesën Lotaj- Ndërlysaj

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar nga afër punimet në lotin e dytë të rrugës së Dukagjinit.
Së bashku me banorët e zonës dhe inxhinierë të firmës kontraktuese, ai është njohur me ecurinë e këtij investimi të rëndësishëm për të gjithë zonën.
Gjatë diskutimit me banorët, kryebashkiaku Benet Beci u shpreh se kjo rrugë është një nyje e rëndësishme jo vetëm për zhvillimin e zonës, por edhe për të gjithë qarkun, duke e kthyer këtë investim në një ndërhyrje strategjike infrastrukturore.
Rruga e Dukagjinit është një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në Qarkun e Shkodrës. Ky investim është realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Qeveria Shqiptare, ndërsa përfitues është Bashkia Shkodër.
Loti i dytë, nga Lotaj në Ndërlysaj, ka një gjatësi prej 30 km dhe përfshin zgjerimin e rrugës, ndërhyrjen në veprat e artit, vendosjen e tombinove dhe mbrojtëset anësore të rrugës.
Me ndërtimin e këtij aksi rrugor, realizohet një nga kërkesat e kahershme të komunitetit të kësaj zone.